Kosova

Arritja e marrëveshjes me BE për shtensionimin në veri të Kosovës, Kurti tregon 4 pikat

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në fjalimin e tij para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, ka konfirmuar se të hënën(10 korrik) zv.kryeministri Besnik Bislim dhe emisari Miroslav Lajçak kanë rënë dakord për një marrëveshje që përmban 4 pika për de-eskalim të situatës.

Kurti tha se katër pikat do të krijojnë parakushte nё zbatimin e plotё tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars.

Më tej, Kurti është shprehur se Kosova mbështet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit pas stinёs sё verёs.

Ai tha se dakordimi që ndodhi në Bratisllavë, do të ndihmojë në vendosjen e barazisë midis palëve, që sipas tij, ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.

“Z.Bislimi ka arritur një dakordim me emrirasin Lajçak për këto pika:

E para, zvogëlimi nё masën e 25% tё prezencës policore nё dhe rreth ndërtesave komunale. Kjo gjë nënkupton reduktimin e menjëhershëm të 1/4 të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre. Pra, 25% e policëve do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka më shumë nevojë për ta.

E dyta, Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë. Kjo ishte kërkesë e jona që nga fillimi, duke qenë se sundimin e ligjit dhe qetësinë e sigurinë, i shohim si interes i përbashkët i të gjitha palëve.

E treta, Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore. Kjo do të ndodhë pas stinës së verës dhe natyrisht, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Por për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, dhe që garanton paprekshmërinë e votës.

E katërta ka të bëjë me ftesën që BE do të bëjë për kryenegociatorët për finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrëveshjen drejt Normalizimit”, detajoi ai ndërsa shtoi se zbatimi i marrëveshjeve nuk duhet që të kushtëzohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë