Lajme

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti voton në zonën e ish-Bllokut në Tiranë

Albin Kurti është bërë sot kryeministri i parë i Kosovës që po voton në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Duke shprehur mbështetjen e tij për kandidatët e pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, kryeministri votoi sot në orën 09:00 në Tiranë. Kurti po ushtron të drejtën e tij si qytetar i Republikës së Shqipërisë në qendrën e votimit kopshti nr. 31, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

urti ka qenë i shoqëruar nga kandidati i Vetëvendosjes në Shqipëri Boiken Abazi dhe mbështetës të Lëvizjes në Shqipëri.

‘Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë, i ftoj qytetarët që të respektojnë atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve. Dita është e bukur, me diell, e diel dhe do jetë deri në mbrëmje. Uroj për ditë me mbarësi, që ashtu sikurse unë e ka pasaportën e Shqipërisë.’– tha Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes por edhe një sërë ministrash dhe figura të rëndësishme të partisë qeverisëse po bëjnë prej javësh fushatë në Shqipëri, duke mbështetur re kandidatët e VV në zgjedhjet e n25 prillit.

 Në qarkun e Tiranës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kandidon si i pavarur, Bojken Abazi, në  Gjirokastër Kreshnik Merxhani dhe në Lezhë, Iliaz Shehu.

Fillimisht, lajmi se Kurti, do të udhëtonte për në Shqipëri këtë fundjavë për votuar në zgjedhjet parlamentare u bë i ditur nga Abazi.

Abazi po ashtu u ka bërë thirrje gjithë kosovarëve që kanë shtetësi shqiptare të marrin pjesë të udhëtojnë drejtë Shqipërisë për të votuar.

Pjesë e zgjedhjeve do të jetë edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës Albena Reshitaj. Deputetja ka udhëtuar sot drejt Shqipërinë për të votuar për parlamentin e ardhshëm. Ajo shprehet se kjo qenë një ëndërr e dikurshme që sot po bëhet realitet.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua. Është hera e parë që kam të drejtë të votoj në Shqipëri. Kjo përpara ka qenë një ëndërr e të gjithë kosovarëve. Prandaj ndihem jashtëzakonisht mirë që kam mundësi të votoj për të ardhmen e Shqipërisë”,  u shpreh Reshitaj

Duke marrë pjesë në mbylljen e fushatës së tre kandidatëve përmes një video konference,  Kurti deklaroi të premten se fushata e Abazit, Merxhanit dhe Shehut ka qenë një kontribut në rrafshin e afrimit mes Shqipërisë e Kosovës. “Ju keni qenë dhjetra aktivistë nga Shqipëria, që keni ardhur në Kosovë për vite me radhë e na keni ndihmuar shumë neve. Tash me këtë fushatë sërish po na ndihmoni, sepse e hapët rrugën që edhe aktivistët nga Kosova të vijnë në Shqipëri e të angazhohen për çështje politike e qytetare. Ne shqiptarët jemi një popullsi jo e madhe. Nëse punojmë bashkë e afrohemi, prapë nuk do të jemi rrezik për askënd, por nëse mbetemi të përçarë do të jemi gjithnjë rrezik i vetvetes. Krahinarizmat kanë vlerën e tyre kur vjen puna te folklori e respektimi i traditave e i dialekteve, mirëpo nëse duam të bëjmë një shtet që ndihmon ekonominë, forcon kulturën e arsimin, dhe e ndal braktisjen e atdheut tonë prej të rinjëve sot e fëmijëve tanë nesër, ne duhet t´i kapërcejmë ndasitë krahinore, nga Gjirokastra e Kreshnik Merxhanit e deri në Mitrovicë, nga Lezha e Iliaz Shehut e deri në Gjilan, nga Tirana e Boiken Abazit, e deri në Prishtinën tonë.

“Ne kemi fituar tre figura dinjitoze publike në këtë fushatë. Tre ligjërues universitarë, të cilët kanë vendosur të hyjnë në politikë jo për pozitë apo për post, por si sakrificë, për çështje. Miq të dashur. Si kryeministër i Kosovës, unë do të respektoj maksimalisht dhe do të bashkëpunoj me cilëndo qeveri që populli i Shqipërisë do ta zgjedhë në zgjedhjet e 25 prillit. Por si aktivist dhe kryetar i VETËVENDOSJE!-s, ju do të jeni vazhdimisht bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, për të përhapur mesazhin tonë politik. Sot jeni tre kandidatë, por pas jush qëndrojmë si mbështetës të gjithë ne, që e duam VETËVENDOSJE!-n, në Kosovë e Shqipëri. Dëshiroj t’i ftoj gjithë qytetarët e Shqipërisë me të drejtë vote, që të votojnë për Boiken Abazin në Qarkun e Tiranës, për Iliaz Shehun në Qarkun e Lezhës e për Kreshnik Merxhanin në Qarkun e Gjirokastrës. E sidomos, i ftoj shtetasit e Kosovës që kanë edhe nënshtetësi të Republikës së Shqipërisë, që në ditën e zgjedhjeve, pra të dielën e 25 prillit, të nisen drejt Tiranës, Lezhës dhe Gjirokastrës, drejt këtyre qyteteve që të votojnë Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun. Me këta të tre, ia hapim rrugën VETËVENDOSJE!-s edhe në Shqipëri”, tha Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë