Monika Kryemadhi deklaroi se mungesa e reformës zgjedhore është një alibi që Kryeministri Edi Rama e ka përdorur që në pranverë të vitit të kaluar për të mos realizuar zgjedhje të parakohshme.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët të organizuar këtë të enjte, kryetarja e LSI-së thotë se me ngritjen e Këshillit Politik, pjesëmarrjen e opozitës së bashkuar në këtë Këshill dhe miratimi me konsensus i reformës, kjo alibi e Ramës bie.
“Nëse nuk miratohet reforma zgjedhore nuk bëjmë dot zgjedhje. Këtë e ka thënë edhe Edi Rama, që deklaronte se nuk bëj dot zgjedhje të parakohshme se s’kam reformë zgjedhore. Miratimi dhe heqja e këtij hendeku që kërkon të krijojë, e nxjerr Ramën zbuluar. Jemi të gatshëm ta miratojmë nesër këtë reformë, por a është PS e gatshme për ta miratuar këtë reformë që nesër në Parlament?”, deklaroi ajo.
Nëse Edi Rama e ka përdorur këtë alibi sipas kësaj deklarate të Monika Kryemadhit, atëherë kjo duhet të ketë ndodhur në bisedime dhe kontakte të fshehta larg vëmendjes së publikut, pasi publikisht përgjatë prillit dhe majit të vitit të kaluar, kur opozita ishte në kulm të protestave të saj, Kryeministri e përjashtonte mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe shkoi me këmbëngulje pa pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet vendore.
Kryetarja e LSI-së thotë se nuk ka gjetur pakënaqësi në bazën e partisë për vendimin për t’u ulur në tryezë me socialistët.
“Të vetmit të pakënaqur janë ata që kanë dashur të jenë pjesë e lojës dhe të rrisin pazaret e tyre në kurriz të shqiptarëve. Nga takimi që kemi patur këto ditë me bazën, kam vënë re që njerëzit e shikojnë si një mundësi për të ecur përpara. Shqiptarët duan zgjedhje dhe ne si opozitë duam zgjedhje”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, Petrit Vasili, që është edhe pjesë e Këshillit Politik së bashku me Oerd Bylykbashin tha se marrëveshja është një fitore e opozitës së bashkuar dhe reflekton kërkesat e prezantuara prej saj që në tryezën e OSBE-së të paraqitura në vjeshtë të vitit të kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.