Lajme

Kryemadhi: Vendi është në alarm, kriminelët janë bërë një me shtetin

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një takim me komitetin drejtues kombëtar të Lëvizjes Rinore për Integrim, ka vijuar edhe ditën e sotme akuzat ndaj kryemininistrit Rama.

Teksa ka prekur rastin e sulmit ndaj banesës së prindërve të gazetares, ajo është shprehur se vendi ndodhet në një alarm të madh për shkak të krimit. Sipas saj kriminelët nuk kanë frikë nga shteti, pasi e kanë në dorë atë.

“Thonë që kriminelët kanë frikë nga shteti dhe nga reforma në drejtësi, por i qëllojnë me kallash shtëpisë së gazetarëve. Kjo nuk është frikë. Nuk kanë frikë sepse kryekrimineli është në krye të qeverisë”, u shpreh Kryemadhi.

Kreu i LSI-së theksoi gjithashtu se “pagat e shqiptarëve po zhvlerësohen dhe po rritet varfëria, gjë që do të sjellë dëshirën epidemike për t’u larguar nga Shqipëria”.

Në fund, Kryemadhi paralajmëroi për “ditë të nxehta shtatori” në politikën shqiptare.

Teksa ka përmendur çështjen e Teatrit Kombëtar, tha se “sesioni i ri do të fillojë me grabitjen e teatrit”.

“Parlamenti do jetë një sesion shumë të vështirë që nis me Teatrin kombëtar, me grabitjen e kulturës, identitetit, e rinisë sonë. Por nuk qëndron problemi te kultura, por te makutëria e shtetit që nuk kënaqet duke uzurpuar, duke kaluar nga prona publike, te pronat private të shqiptarëve. Ashtu siç ndodhi me audiopërgjimin e Denar Bibës, ku tentohet t’u vidhet prona shqiptarëve deri në Strasburg. Mendoni ç’mund t’i bëjë ai shqiptarëve, për pronën e jetën e të ardhmes së tyre. Prandaj është një alarm i madh, sepse një i çmendur dhe i kapur po shkatërron shtetin dhe atë pak histori që e kanë vënë me mund paraardhësit tanë”, u shpreh Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë