Gazeta Si - E thirrur për të sqaruar akuzat për inceneratorin e Tiranës, Monika Kryemadhi, përveç se ka dorëzuar prova të reja siç tha ajo, i bëri thirrje SPAK-ut të ndalojë edhe pagesat për procesin e punës në landfill.
Deputetja e Partisë së Lirisë dhe ish-kryetarja e LSI-së, dha detaje rreth marrjes së saj në pyetje në një seancë që zgjati për mbi dy orë.
“Sot isha pranë SPAK për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Kam dorëzuar padi që në 4 mars 2021. Gjërat tani po zbardhen, shpresoj që më e pakta është që të ndalet pagesa për inceneratorin, - tha Kryemadhi pas daljes nga SPAK. - Edhe pse është thënë për marrjen e bonusit 8 pikësh për këtë kompani, në rastin kur nuk kemi pagesa buxhetore, s’kemi pse bëjmë pagesën 29 euro për ton. Shtova dhe do të vazhdoj të dorëzoj dokumentet e tjera për rihapjen e vend depozitimit të ri në Sharrë”, - vijoi ajo.
Deputetja e Partisë së Lirisë tha se Landifilli i Sharrës duhet të ishte mbyllur brenda 22 muajve, ndërkohë që në nëntor është rihapur, duke depozituar mbetjet.
“Do të dorëzoj dokumente të tjera në lidhje me këtë. E di që është e vështirë por kam besim të plotë se gjërat do të bëhen. Drejtësia të triumfojë për qytetarët shqiptarë që paguajnë një kompani ‘ofshore’, e cila grabit 29 euro për ton mbetje. Kjo është një kontratë që vazhdon për 30 vite, ndryshe nga Elbasani dhe Fieri. Pra, ne vazhdojmë e paguajmë edhe pse nuk incenerohet, nuk diferencohen mbetjet. Ka dokumente të tjera, ka fakte të tjera”, tha Kryemadhi.
Sipas saj, "edhe pse nuk ka incenerator, në rastin e Tiranës ne paguajmë. Mbështetja që jepet nga qeveria, janë të gjitha procese që mbledhin të gjithë zinxhirin e funksionimit. Pastaj se cili është roli i Lefter Kokës, apo i Veliajt është çështje tjetër. Unë e them që Inceneratori i Tiranës është skenë krimi. Unë do të vazhdoj edhe me publikimin e videove të tjera".
Në fund të komunikimit me gazetarët, u pyet se a ka besim tek drejtësia dhe Kryemadhi iu përgjigj me fjalët: "Unë me thënë të drejtën kam besim vetëm në Zot, tani kjo punë kështu ka mbetur, në dorë të Zotit...".






Rreth 10 ditë më parë, Kryemadhi dhe ekipi i saj i PL, publikuan një investigim prej qindra orësh filmime mbi landifillinin e Sharrës, duke nisur nga tërheqja e mbeturinave me makinat e pastrimit, deri tek dërgimi i tyre në të ashtuquajturin inceneratori i Tiranës.
Në investigim, u denoncua se mbeturinat e kryeqytetit thjesht groposeshin dhe nuk kalonin në asnjë proces përpunimi apo djegieje për të cilin paguhet kosto e lartë nga qytetarët.
Kryemadhi tha se shqiptarët paguajnë 29 euro për ton për groposjen e mbetjeve dhe shtoi se organet e drejtësisë me në krye SPAK-un, duhet të veprojnë për të ndaluar pagesat që qeveria jep ndaj inceneratorit të Tiranës ku transportohen mbetje edhe nga bashkitë e tjera.
Më 27 tetor të vitit të shkuar, Kryemadhi, për më shumë se dy orë qëndroi në SPAK, ku pohoi se kishte dorëzuar prova të reja për vjedhjen e parave për inceneratorin e Elbasanit.
Pas daljes prej andej, ajo tha se ishte thirrur nga prokurorët e posaçëm për verifikimin e dokumenteve të dorëzuara dhe hodhi sërish akuza se me këtë aferë janë grabitur 7.1 miliardë lekë me fatura fiktive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.