Politike

Kryemadhi, dyshime mbi ftesën e OSBE për reformën zgjedhore

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi hodhi dyshime mbi sinqeritetin e ftesës së OSBE-së, që opozita jashtëparlamentare t’i bashkohej këtë të mërkurë tryezës së organizuar nga ky institucion për reformën zgjedhore.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi tregoi një detaj nga koha kur opozita ka marrë ftesën nga ambasadori Bernd Borchardt.

“E çuditshme sepse si ftesa e OSBE ashtu, ashtu edhe letra publike e zotit Rama na erdhën në të njëjtën kohë, por nuk na erdhi një agjendë se çfarë do të diskutohej në këtë tryezë, sepse tryeza bëhen shumë”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së u shfaq në të njëjtën linjë me Lulzim Bashën sa i takon gatishmërisë së opozitës për të zgjidhur krizën.

“Pakti antikrizë do të thotë që të shkosh në një proces zgjedhor që u garanton shqiptarëve votën dhe gjithë procesin zgjedhor, që qytetarët të mos kërcënohen dhe as të mos blihen”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë