Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se vendit sot nuk i duhet një tjetër marrëveshje politike, por një pakt kombëtar për realizimin e reformave kryesore.
“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për Paktin Kombëtar, që ka të bëjë me realizimin e reforma kryesore siç është Reforma Elektorale, Reforma në Arsim, Reforma në Shëndetësi, Reforma në Bujqësi”, deklaroi ajo nga një takim me bazën e partisë në qytetin e Elbasanit.
Por cila është zgjidhja që propozon opozita për të arritur deri tek ky pakt?
“Zgjidhja është shumë e thjeshtë. Ne jemi fokusuar gjatë të gjithë kohës te denoncimet e korrupsionit dhe skandaleve të qeverisë dhe në fakt shqiptarët janë lodhur me korrupsionin e qeverisjes, janë lodhur me denoncimet e opozitës, që për hir të së vërtetës të gjithë jemi lodhur”, deklaroi kryetarja e LSI-së.
Me rastin e kryebashkiakut të Mallakastrës, për të cilin u publikua së fundmi dokumenti që rezulton si i dënuar në Greqi, Kryemadhi identifikon të gjithë “Rilindjen.
“Nuk është problemi te ky, problemi është te sistemi i inkriminuar, te firmat që ky zotëria kishte vendosur atëherë, apo të materialet që ky zotëria ka falsifikuar, sepse ky është mentaliteti i Rilindjes, mentaliteti i falsifikimit, mentaliteti i mashtrimit, mentaliteti i uzurpimit, mentaliteti i grabitjes, mentaliteti i zhvatjes. Prandaj edhe ne sot nuk do të merremi më me këtë mentalitet të tij sepse mentaliteti i tij e ka rrënuar Shqipërinë”, vijoi ajo.
Sa i takon reformës zgjedhore, kryetarja e LSI-së mbështeti qëndrimin e mbajtur nga Lulzim Basha, ndërsa akuzoi Edi Ramën se me qëndrimet për Kosovën dhe nismave rajonale e ka nxjerrë Shqipërinë nga lista e vendeve që prodhojnë stabilitet në Ballkan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



