Kryetarja e LSI, duke iu drejtuar mediave nga oborri i Parlamentit akuzoi Kryeministrin Rama si pengesën e vetme për hapjen e negociatave.
“Largimi i Edi Ramës është hapja e negociatave. Parlamenti është në duart e bandës dhe të krimit të organizuar. Parlamenti ka vdekur dhe ne jemi këtu për t’ia kujtuar këtë Edi Ramës”.
Në lidhje me audio-përgjimin e Agron Xhafajt, Kryemadhi u shpreh:
“Nuk kam asnjë lloj dyshimi që audio-përgjimi është i vërtetë, por problemi është kapja e institucionit të shtetit. Vëllai i zotit Xhafaj do përgjigjet para ligjit, por problemi është se vëllai i Kryeministrit apo vëllezërit e ministrave shfrytëzojnë institucionet shtetërore për t’u fuqizuar dhe pasuruar. Mbrojtja që Rama i bëri Xhafajt nuk ka të bëjë me ministrin e Brendshëm, sepse ishte ai që ia nxorri dhe e regjistroi Fatmir Xhafën. Ishte ai që “ia nguli thikën” Fatmir Xhafajt dhe i thotë sot “do të të mbaj”.
Kryetarja e LSI dha një paralajmërim nga oborri i Kuvendit:
“Tashmë koha e drejtësisë po vjen dhe jo nga Arta Marku dhe Donika Prela, por nga populli. Asnjë shqiptar nuk do të lejojë që Edi Rama të cënojë fëmijët e tij. Unë për vete nuk do të pranoj”.
Ish Kryeministri Berisha si rrallë herë nuk e mori fjalën në seancën plenare të së enjtes, por ai reagoi para mediave menjëherë sapo la sallën e Kuvendit duke akuzuar Ramën, se i është vënë pas “dëshmitarit X”.
“Ky faqezi për të mbrojtur vëllanë e tij Olsin gënjeu, u bë dhe kryeeksperti i zërit dhe deklaroi brenda natës se ajo është një audio e montuar. Sot ky faqezi për t’i shpëtuar kësaj ka ndërmarrrë një akt terrorist ndaj dëshmitarit X, por harron se zinxhiri i dëshmitarëve është i pafund dhe provat janë autentike. Nuk mbetet gjë tjetër veçse shqiptarët, që ky i mashtroi në mënyrë më të paskrupullt, ta heqin nga zyra dhe ta hedhin në Lanë si një kalbësirë që po qelb Shqipërinë dhe Ballkanin” – deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.