Politike

Kryediplomati austriak takohet edhe me opozitën, Basha: Kjo javë vendimtare

Austria jep mbështetjen pro çeljes së negociatave të Shqipërisë. Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenber ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, duke pasur në fokus qëndrimin e që ka ky shtet në raport me çeljen e negociatave me BE-në.
“Austria do t'i japë Shqipërisë mbështetje të pakursyer në çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”, deklaroi kryediplomati austriak pas takimit me ministrin në detyrë Cakaj. Ai theskoi se “ju i keni bërë detyrat tuaja. Ju takon juve t’i plotësoni ato ndërsa Brukseli duhet të bëjë pjesën e tij”. Ai bëri të ditur se se Austria i ka ofruar Shqipërisë një ndihmë prej 200 mijë eurosh për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 21 Shtatorit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenber dhe ministri në detyrë Gent Cakaj

Cakaj thekson se biseda me kryediplomatin austriak u fokusua dhe tek marrëdhëniet dypalëshe dhe nevojën e shtimit të bashkëpunimit në fusha si energjetika, transporti dhe infrastruktura. Gjithashtu u vlerësua pozitivisht bashkëpunimi i deritanishëm në fushën e diplomacisë shumëpalëshe duke filluar nga bashkëpunimi në kuadër të OSBE-së e deri në mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023. Duke u ndalur tek kryesia e OSBE nga Shqipëria, Austria ka ofruar edhe mbështetje teknike përmes atashimit të një eksperti austriak i cili do asistojë Kryesinë shqiptare përgjatë vitit të ardhshëm.

Ministri austriak duke u takuar me kryeministrin Edi Rama


Ministri austriak është pyetur në lidhje me çështjen e azilkërkuesve, ku Franca ka ngritur shqetësimin për numrin e lartë të kërkesave që vijnë nga Shqipëria, por edhe Austria pati një pretendim të tillë vitin e kaluar. “Situata e azilkërkuesve shqiptarë është një situatë që vazhdon, por e prek më pak Austrinë se shtetet anëtare. Me shumë ndershmëri mund të them se është një tipar i përsëritur në diskutimet me kolegët francezë”, tha Schallenber.
Sa i përket vendimmarrjes në Këshill Europian për negociatat më 18 tetor, Cakaj u shpreh se nuk i trembet vendimit që do të marrin. “Para se t’i druhem votës kundër nga çdo shtet anëtar, dua të them se jemi në një përpjekje intensive për të siguruar votat pro. Nuk kam frikë nga votat kundër, por jam i angazhuar maksimalisht për të siguruar votat pro”, tha ai. Cakaj shtoi se Austria si një katër partnerët strategjikë të Shqipërisë është një nga mbështetëset kryesore të rrugëtimit europian të vendit tonë në përgjithësi dhe çeljes së negociatave për anëtarësim në veçanti.

Presidenti me kryediplomatin austriak


Kryediplomati austriak ka takuar kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta. Në këto takime është folur mbi situatën politike, presidencën e radhës së OSBE-së që pritet ta marrë Shqipëria. Presidenti Meta e falënderoi Ministrin Schallenber për mbështetjen që Austria vijon t‘i japë pa rezerva procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke vënë në dukje se “Austria ishte një prej vendeve që nënshkroi letrën mbështetëse për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Meta vlerësoi bashkëpunim efektiv dypalësh midis agjencive të zbatimit të ligjit të dy vendeve tona, dhe inkurajoi forcimin e mëtejshëm të tyre.
Në agjendë ishte edhe takimi me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një prononcim për mediat, kryedemokrati e cilësoi këtë javë si një vendimtare,pasi vendi pritet të njihet me vendimin për çështjen e negociatave.

Basha me ministrin austriak


“E sigurova se Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë të vendosura të japin të gjithë kontributin tonë për të tejkaluar këtë krizë të ëndë politike dhe problemet kryesore të shkaktuara nga kjo krizë politike dhe kjo qeverisje, që janë dhe pengesa kryesore për hapjen e negociatave. Dua ta them fare qartë para jush se rruga që ka zgjedhur Edi Rama është rruga absolutisht e gabuar në këtë javë që ka mbetur për marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Është rruga e njohur e fajësimit të çdokujt tjetër, e sulmeve ndaj BE, e sulmeve ndaj qeverive europiane, e sulmeve ndaj shënjestrës së preferuar, opozitës, PD, medies madje dhe qytetarëve për të hequr vëmendjen dhe përgjegjësinë nga i vetmi njeri në fakt përgjegjës për këtë situatë’, tha Basha.
Kryedemokrati shtoi se opozita e bashkuar është në krye të detyrës dhe se propozimi i tyre për daljen nga kriza dhe reformën zgjedhore vazhdon të mbetet në tryezë.
“Dështimi për herë të katërt ka vetëm një vulë, vetëm një firmë, vetëm, një emër, ai është Edi Rama. Po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë dhe zgjidhur problemet që na mbajnë peng”, theksoi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë