Drejtësia

Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli shkon në SPAK për fondet e tërmetit: Do vij sa herë të thërrasin

Gazeta Si - Kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli nuk e ka shmangur dot paraqitjen e tij këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë shpjegime ne lidhje me një hetim të çelur për fondet e tërmetit.

Në një prononcim për mediat pas daljes nga SPAK, ai theksoi se shyqyr që erdhi dita kur të gjithë të thirren para drejtësisë, ndërsa shtoi se do të shkonte në SPAK sa herë të thërritej.

"Të lëmë drejtësinë që të bëjë punën e vet sepse po jep shpresë të shqiptarët. Fati që erdhi sot kjo ditë, që çdo person të japë llogari, - tha ai. - Ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet. Do të vij sa herë të më thërrasin”.

Prokuroria po kryen hetimet ndaj Sulit dhe zyrtarëve të tjerë për disa vepra penale, siç janë “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Në kuadër të kësaj çështje, pasi SPAK ka sekuestruar të gjitha procedurat e ndjekura nga zyrtarët ka thirrur edhe Sulin të japë shpjegime.

Dy javë më parë, SPAK ka vendosur nën hetim kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli dhe të Rrogozhinës Edison Memolla, pas denoncimeve ku dyshohet se dy zyrtarët kanë abuzuar me tenderët e pastrimit të qytetit, por edhe se kanë firmosur dëmshpërblime mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti. Memolla u paraqit pak ditë më parë në SPAK, ku u njoh edhe me akuzat.

Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e dokumenteve mbi procedurën e ndjekur për tenderat dhe për dëmshpërblimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë