Kombetarja

Kronologjia e një konflikti të paralajmëruar

“Presidenti i FSHF-së z.Duka, së bashku me zyrtarët e Policisë së Shtetit, dhe përfaqësuesve të grupimit “Tifozat Kuqezi” gjetën dakordësinë e tyre të plotë për shumë pika diskutimi të cilat lidhen direkt me raportin federatë-polici-tifozeri, për të qenë gjithmonë në një atmosferë ku manifestimet në stadium të jenë korrekte”.

Me këto fjalë, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi pak ditë më parë arritjen e “armëpushimit” me grupimin më të madh të tifozerisë së kombëtares, “Tifozat Kuqezi”.

Por, si lindi konflikti?

Shkëndijat e para përplasëse ishin dhënë që në ndeshjet e eleminatore të Euro 2016, sidomos pas ndeshjes ndaj Serbisë në Elbasan. Marrëdhënia e ftohtë Federatë-Tifozat Kuqezi vazhdoi edhe më pas. Grupimi kishte shprehur vazhdimisht pakënaqësinë ndaj numrit të biletave që i viheshin në dispozicon dhe sjelljes së Policisë së Shtetit me ta, që e cilësonin si të parregullt.

Shqipëri-Serbi u luajt në Elbasan Arena. Serbët fituan 0-2

Kulmi mbërriti me ndeshjen ndaj Izraelit në “Elbasan Arena”, ku policia ndërmori masa të forta sigurie me frikën se mund të organizohej një sulm kundër përfaqësueses hebraike.

Elbasani u blindua atë mbrëmje të 12 nëntorit 2016. Forca të shumta policie, përfshirë edhe forcat speciale ushtruan kontrolle të imtësishme ndaj tifozerisë shqiptare, madje përmes disa postimeve në rrjetet sociale, disa nëngrupime të “Tifozave Kuqezi” akuzuan uniformat blu për keqtrajtime para, gjatë dhe pas ndeshjes së humbur nga kombëtarja jonë 0-3.

Forca të shumta policie rrethuan stadiumin Elbasan Arena para, gjatë dhe pas ndeshjes me Izraelin. Pjesë e forcave të sigurisë ishin edhe forcat antiterror

Pak ditë pas këtyre episodeve dhe denoncimeve, “Tifozët Kuqezi” dolën me një deklaratë të postuar në Facebook ku njoftonin vendimin për bojkotimin e të gjitha takimeve në shtëpi të Kombëtares.

“Vajtja në stadium dhe përkrahja e Kombëtares për ne është vetë jeta, ndaj heqja dorë nuk është aspak e lehtë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, por jemi më të vendosur se kurrë që protesta jonë e bojkotit të ndeshjeve që luhen nëpër stadiumet shqiptare të vazhdojë deri në trajtimin dhe marrjen e masave nga Policia e Shtetit”, thuhej në deklaratën e tifo-grupit.

Që prej këtij vendimi, tifozët braktisën shkallët sa herë që Shqipëria luante brenda, ndërkohë që në ndeshjet e luajtura jashtë vijuan me prezencën e tyre, përfshi atë takim të përfunduar 1-1 në Strumicën e largët ndaj Maqedonisë.

Për Federatën Shqiptare të Futbollit shkrirja e akujve mes palëve ishte e domosdoshme.

“Ata kanë kërkesat e tyre, apo pengesat, por duan që të jenë në stadium dhe besoj se do jenë rregullisht. Policia nga ana e saj garantoi sjellje korrekte, me pak prezencë, ose dhe fare prezence në tribuna, por nuk mund të premtonte më shumë se sa zbatimi i ligjit në mënyre korrekte”, deklaroi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit u zotua përmes zv.Drejtori i Përgjithshëm, Gjovalin Loka.

“Unë ju garantoj që sa më bashkëpunues të jenë tifozët me ne, aq më mirë do të jetë klima, për një ecuri sa më pozitive, në mënyrë që të shmangim çdolloj keqkuptimi, apo incidenti të mundshëm. Vlerësoj një diskutim të tillë, dhe ne jemi gati për çdo nismë tjetër në funksion të mbarëvajtjes së ballafaqimeve të tilla ndërkombëtare për sigurinë në stadium, dhe sigurinë publike”, deklaroi ai.

Cilat janë kërkesat konkrete të tifozëve?

1 - Mosprezenca e policëve të armatosur në tribuna dhe zëvendësimi i tyre me stjuard.

2 - Mbarëvajtja e ndeshjeve përmes bashkëpunimit të TKZ-së me Policinë e Shtetit dhe FSHF-së, si institucionet përgjegjëse të aktivitetit.

3 - Përfshirja përmes akreditimit e përgjegjësve të TKZ-së në mbikqyrjen e sektorit ku ata do jenë të pranishëm.

4 - Pranimi dhe informimi i organeve të policisë mbi produktet, logot e dizajnet e ndryshme të TKZ-së në mënyrë që të evitohen vonesat gjatë kontrolleve apo incidentet si ato që kemi pasur deri në ndeshjen me Izraelin.

5 - Takim tre palësh përpara cdo ndeshje me qëllim informimin e ndërsjelltë mbi personat përgjegjës.

Tifozët thonë se kanë marrë premtimin si nga FSHF, ashtu edhe nga policia që këto pesë kërkesa të plotësohen, por thonë se “hesapet” nuk mbyllen me kaq. Ata paralajmërojnë se do të ketë takime të tjera në vazhdim për të diskutuar për një sërë problematikash që i shqetësojnë si tifogrup.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë