Futboll

Kroacia finalistja e parë e Ligës së Kombeve, Holanda bie në shtëpinë e saj

Gazeta Si - Kroacia është finalistja e parë e Ligës së Kombeve. Djemtë e trajnerit Zllatko Daliç kanë mundur 2-4 Holandën në shtëpinë e saj, në Roterdam. U deshën 120 minuta për të përcaktuar fituesin, pasi 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan në barazim, 2-2.

Malen kaloi Holandën në avantazh, ndërsa në pjesën e dytë erdhi befasia për skuadrën e Ronald Koeman. Kramariç barazoi shifrat me një penallti të fituar nga Modriç, duke ndryshuar rrjedhën e lojës. Pashaliç realizoi golin e 2-të për skuadrën e Daliç dhe kur pritej që ajo të festonte kalimin në finale, Holanda barazoi me Lang, i futur në fushë si zëvendësues.

Bruno Petkoviç, edhe ky i aktivizuar si zëvendësues te Kroacia, shtangu sërish ‘Tulipanët’ me një goditje nga jashtë zonës në shtesën e parë. Në shtesën e dytë Kroacia ‘vulosi’ fitoren 2-4 me një tjetër penallti, këtë herë të shndërruar në gol nga Luka Modriç.

Zhgënjim për holandezët, të cilët konsideroheshin favoritë për fitimin e trofeut. Kroatët, të udhëhequr nga të zakonshmit Modriç dhe Brozoviç, e kanë merituar kalimin në finale, ku do të ndeshen me fituesin e çiftit tjetër gjysmëfinalist, Itali-Spanjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë