Ende pa u mbyllur faza e dytë e kampionatit të Superiores, apo gjysma e parë e tij, katër nga dhjetë skuadrat e elitës së futbollit shqiptar janë pa trajner. Përpara është merkatoja e dimrit dhe çështja e trajnerit normalisht duhet të jetë zgjidhur para se të bëhen lëvizjet e lojtarëve, edhe pse në vendin tonë, për hir të së vërtetës, nuk është se pyeten shumë drejtuesit teknikë.
Partizani, Tirana, Luftëtari dhe Flamurtari janë pa trajner. Në fakt, një person që t’i drejtojë nga stoli e kanë, por janë zgjedhje të përkohshme. Tirana dhe Flamurtari drejtohen aktualisht nga trajnerët e portierëve, përkatësisht Emanuel Egbo dhe Luan Birçe, kurse Partizani dhe Luftëtari nga dy pjesëtarë të stafit të mëparshëm, Reinaldo Kalari dhe Neritan Novi. Janë katër stola që presin trajnerin e ri, sidomos ata të dy klubeve të kryeqytetit, Tiranës dhe Partizanit, që luftojnë për titullin kampion. Ndryshon situata te Flamurtari dhe Luftëtari, që kanë pak shpresa qëndrimi në Superiore, ndaj dhe çështja e trajnerit nuk po shihet me përparësi.
Egbo e ka drejtuar Tiranës në tri ndeshje dhe ka marrë tri fitore, por edhe ai vetë e di që është i përkohshëm, ashtu si dhe Kalari te Partizani. Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, i cili kërkohet si nga Tirana, ashtu edhe nga Partizani, duket se dëshiron të vazhdojë me korçarët, kështu që kërkimet për trajnerin e ri në kampin e kuq dhe atë bardheblu vazhdojnë.
Në 17 javë kampionat të Superiores, vetëm 4 skuadra nuk kanë ndërruar trajner. Kukësi vazhdon me Shpëtim Duron, Bylisi me Dovedan, Skënderbeu me Ilir Dajën dhe Vllaznia me Jonuz. Partizani ka larguar Franko Lerdën, Tirana Ardjan Memën dhe Julian Ahmatajn, Laçi Sulejman Starovën, Teuta Bledi Shkëmbin, Luftëtari Jorgo Amarantas dhe Flamurtari Dritan Sadedinin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.