Ne rrjet

Krizë në Mal të Zi për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë

Katër muaj pas zgjedhjeve, Qeveria e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, përballet me sfidën më të madhe në raport me shumicën: kërkesën për të shkarkuar ministrin e Drejtësisë, Vlladimir Leposavic.

Krivokapiq njoftoi më 5 prill se ka kërkuar largimin e Leposaviqit për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

Më 26 mars, Leposavic deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”, edhe pse Forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem në Srebrenicë, në vitin 1995.

Me këtë deklaratë, ai sfidoi edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Leposavic u zgjodh ministër i Drejtësisë më 4 dhjetor të vitit të kaluar, së bashku me 11 ministra të tjerë të Qeverisë së Krivokapiqit.

Qeveria, që rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve pas 30 vjetësh në pushtet, u votua nga një shumicë prej 41 deputetësh, të udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.

Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë këtë javë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit për shkak të deklaratave të tij në lidhje me Srebrenicën. Qeveria ka rënë në krizën më serioze deri më tani, për shkak të gjenocidit në Srebrenicë, një ngjarje kjo që ka ndodhur 26 vjet më parë”,thotë Daliborka Ularevic, drejtoreshë e Qendrës për Edukimin Qytetar (CGO).

“Deri më tani, ky është treguesi më i fortë i keqkuptimeve elementare midis kryeministrit dhe përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, si dhe i dallimeve të ndërsjella për një numër çështjesh. Është po ashtu një tregues se kjo qeveri nuk është aq eksperte dhe nuk ndjek agjendën evropiane”, thotë Ularevic.

Si shembull, ajo përmend pikërisht Leposaviqin dhe pikëpamjet e tij mbi Srebrenicën.

“Leposaviq nuk tregoi ndonjë ekspertizë të dukshme gjatë mandatit të tij të deritashëm dhe nuk promovoi sistemin e vlerave dhe standardeve në fushën e të drejtave të njeriut, që janë trashëguar nga anëtarët më progresivë të Bashkimit Evropian”, thotë Ularevic

Në përgjigje të deklaratës së Leposaviqit për Srebrenicën, Bashkimi Europian tha më 29 mars se hedh poshtë dhe dënon çdo mohim, relativizim ose keqinterpretim të gjenocidit në Srebrenicë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj dhe shpresën se “Qeveria e Malit të Zi do ta dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ka qenë – gjenocid”.

Meqenëse Fronti Demokratik dhe Demokratët, si dy grupet më të mëdha në pushtet, kanë thënë tashmë se nuk do të votojnë për largimin e Leposaviit, pyetja është se cili mund të jetë epilogu i konfliktit midis kryeministrit dhe partive që e kanë zgjedhur shef të Qeverisë?! Më 5 Mars, kryeministri Krivokapic nuk kishte asnjë dilemë:

“Pohoj, bazuar në informacionin që kam, se kjo është një përpjekje për të përmbysur Qeverinë nga brenda. Për këtë punojnë përfaqësues të shumtë të partive të caktuara në pushtet dhe të Partisë Demokratike të Socialistëve”.

Përkundër situatës së krijuar, Daliborka Ularevic thotë se nuk pret ndryshim në “kursin europian” të Qeverisë malazeze.

“Nuk pres ndonjë ndryshim, sepse kemi kohë që luhatemi në atë rrugë… Kjo Qeveri e re nuk ka bërë asgjë për t’i çuar gjërat përpara, kryesisht për shkak të injorancës mb procesin e integrimit”, thotë Ularevic.

Ajo gjithashtu nuk beson se zgjedhjet e reja do të ishin një epilog real i krizës aktuale të Qeverisë.

“Unë nuk besoj se ky konflikt mund të shkaktojë menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë mendoj se kjo përmbysje e dhimbshme e aktorëve politikë do të intensifikohet, gjë që nuk do të jetë në favor të interesit publik dhe temave që tani kanë përparësi: shëndetësia, ekonomia, sundimi i ligjit”, thotë Ularevic.

Krivokapic paralajmëroi se do t’ia dërgojë Kuvendit të Malit të Zi kërkesën për shkarkimin e Leposavicit, por nuk ka asnjë afat ligjor, brenda të cilit kjo pikë duhet të jetë në rendin e ditës.

Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit, që do të thotë se 37 deputetë të shumicës aktuale parlamentare janë kundër.

Si justifikim, Fronti Demokratik tha se pikëpamjet e Leposavicit ndahen nga të gjithë serbët në Mal të Zi.

Vetëm URA, me katër deputetë, mendon se ata që “nuk e kuptojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, nuk kanë vend në funksionet e shtetit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë