Politike

Kriza politike, zyrtari i lartë i DASH në Tiranë. Pas tij ndërhyjnë gjermanët dhe PE

Shqipëria pritet t’u rikthehet tensioneve politike dhe shtatori do të nisë vrullshëm sa i përket zhvillimeve që me shkarkimin e Presidentit apo dhe me protestat e pritshme të opozitës. Kriza politike po shkon drejt thellimit, pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, një proces i bojkotuar nga opozita.

Për t’i paraprirë një thellimi të krizës politike në vend, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që të ndërhyjnë duke tentuar që palët të shkojnë drejt një marrëveshjeje politike apo sheshimit të polemikave.
Këto ditë Tiranën do ta vizitojë drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik. Sipas burimeve, mësohet se zyrtari i DASH do të zhvillojë takimeve me liderët e politikës shqiptare, kryeministrin Edi Rama, kryedemokratin Lulzim Basha dhe kryetarin e LSI-së, Monika Kryemadhi. Këto takime pritet të zhvillohen për dy ditë me radhë në Shqipëri dhe synojnë që të gjejnë një dritare mundësie për zgjidhjen e krizës politike në vend. Të enjten është paralajmëruar takimi me kryedemokratin Basha.
Zyrtari i DASH, pritet të japë qëndrime të forta sa i përket situatës politike në Shqipëri, si dhe sa i përket realizimit të reformave, ku më kryesorja është ajo në sistemin e drejtësisë. Aktualisht nuk dihet nëse SHBA do të sjellë ndonjë paketë për zgjidhjen e krizës, edhe pse më herët nëpërmjet zv/ndihmës sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer ka deklaruar se Uashingtoni nuk mban anë në këtë përplasje dhe se ajo duhet të zgjidhet nga faktorët e brendshëm.
Gjatë muajit shtator pritet të ketë takime të rëndësishme të ndërkombëtarëve në Tiranë. Pas zyrtarit të lartë të DASH, vendin tonë pritet ta vizitojnë edhe deputetët e Bundestagut gjerman, apo dhe ato të Parlamentit Europian. Delegacionet evropiane parashikojnë takime me liderët politikë shqiptarë, e në fokus kanë gjetjen e mundësive për zgjidhjen e krizës politike.
Opozita ndërkohë, e cila nuk ka mohuar negociatat e ndërkombëtarëve, ka shpallur kushtet e saj për zgjidhjen e krizës që janë krijimi i një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e dy palëve zgjedhjeve, lokale dhe parlamentare njëherësh.

Kostelancik, diplomat edhe në Tiranë

Po kush është Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit? David Kostelancik është një diplomat karriere, madje ai ka shërbyer edhe në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë për disa vite dhe është autor i një sërë artikujsh mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke.

David Kostelancik

Drejtori i Ballkanit në Departamentin e Shtetit është një kritik i administratës Trump duke deklaruar se shumë herë vendimet e presidentit amerikan ishin në "mospërputhje të dukshme me politikën e jashtme të SHBA dhe duke vërejtur se "jo çdo kritikë ndaj qeverisë është lajm i rremë". Nga gushti i vitit 2014 deri në gusht 2015 ai shërbeu si Këshilltar i Lartë i Departamentit të Shtetit në Komisionin e Helsinkit të Kongresit. Nga viti 2012 deri në 2014 ai shërbeu si Drejtor i Zyrës së Çështje Ruse në Zyrën e Departamentit të Shtetit për Euroaziane.
Para kësaj detyre, ai shërbeu si Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë e Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, duke koordinuar zbatimin e ligjit, drejtësinë penale dhe ndihmën e lidhur me vendet e narkotikëve të dhëna nga Qeveria e SHBA në të gjithë Evropën, Qendrore, Jug dhe Lindje Azi.

Ai shërbeu edhe në Ambasadën Amerikane në Moskë nga viti 2008 deri në 2010. Ai gjithashtu shërbeu në Moskë më herët në karrierën e tij si Ndihmës Special i Ambasadorit të atëhershëm Thomas Pickering.

Diplomati amerikan qenë po ashtu pjesë e Misionit të SHBA-së në OSBE si Zëvendës, NATO (Bruksel, Belgjikë), Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe në Turqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë