Gazeta Si - Një aksident me vdekje ka ndodhur në Kukës, ku sipas policisë, një 27-vjeçar nga Kosova duke drejtuar automjetin ka përplasur një këmbësor, rreth 60 vjeç, i cili ka humbur jetën në vendngjarje.
Policia e Kukësit thotë se ngjarja e rëndë është regjistruar mbrëmjen e të martës, në fshatin Gjegjan. Drejtuesi i automjetit është arrestuar dhe po merret në pyetje për rrethanat e ngjarjes së rëndë.
Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në autostradën “Milot-Morinë”. Viktimë nga kjo ngjarje mbeti një këmbësor rreth të 60-tave, identiteti i të cilit nuk dihet ende.
“Shërbimet e Njësisë së Sigurisë Rrugore në autostradën “Milot-Morinë” arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 27 vjeç, banues në Prishtinë, pasi rreth orës 21:30, të datës 14.05.2024, në fshatin Gjegjan, me automjetin që drejtonte, ka përplasur një shtetas ende të paidentifikuar, këmbësor, rreth 60 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje. Vijon puna për identifikimin e këtij shtetasi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, tha policia në një njoftim për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.