Motosport

Kriza pas pandemisë, McLaren shkurton 1200 vende pune

Grupi McLaren ka bërë me dije planin e riorganizimit pas krizës që shkaktoi pandemia e koronavirusit. Qëllimi është që kompania angleze të rivitalizohet, të jetë më e shëndetshme financiarisht, por për këtë duhet të sakrifikojë rreth 1200 persona, të cilët do të humbasin vendin e punës.

Kompania me seli në Uoking është goditur rëndë nga kriza, si nga rënia e shitjes së makinave, ashtu edhe nga pezullimi i aktivitetit të Formula 1. Kanë nisur konsultimet me personelin për të përcaktuar hapat që do të ndiqen, por në një komunikatë të McLaren saktësohet se parashikohen rreth 1200 vende pune të shkurtuara. Edhe pse detajet e këtij operacioni të dhimbshëm nuk janë përcaktuar ende, duket se një pjesë e personave të përfshirë, rreth 75, do të shkurtohen nga aktiviteti i Formula 1. Megjithatë, nuk duhet marrë si një shifër zyrtare.

Këto ditë skuadrat e Formulës 1 kanë aprovuar reduktimin e buxhetit me një ulje progresive në 145, 140 dhe 135 milionë dollarë në sezon për tre vitet e ardhshme, të detyruar nga kriza e pandemisë.

Presidenti i McLaren, POl Uolsh, shkruan: “Me hidhërim të thellë duhet të themi se duhet ta bëjmë këtë ristrukturim që prek nëpunësit tanë. Është një linjë që donim ta evitonim, duke marrë masa drastike kursimi në të gjithë sektorët e kompanisë tonë, por nuk kemi zgjidhje tjetër veç asaj të shkurtimit të vendeve të punës. Është një moment shumë i vështirë për kompaninë, por kemi bërë programe për t’u kthyer si më parë”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë