Motosport

Kriza financiare, McLaren shet selinë e saj në Angli për 200 milionë euro

Covid-19 kishte ndezur sinjalin e kuq për financat e McLaren, që tani i ka shitur “Technology Center” fondit amerikan “Global Net Lease”. Megjithatë, skuadra e Formula 1 do të vazhdojë ta shfrytëzojë qendrën e saj, sepse në akordin mes palëve është parashikuar një qera prej 20 vjetësh.

“Technology Center” është një strukturë e madhe 78 mijë metra katrorë, e ndërtuar në vitin 2004 dhe përbëhet nga 3 ndërtesa kryesore. McLaren e nxorri në shitje selinë e saj në vitin 2020 për të mbuluar humbjet e shkaktuara nga pandemia. Dhe pas shumë javësh bisedime, më martën e 20 prillit u arrit akordi për shitjen e selisë në Uoking për 170 milionë stërlina, 197 milionë euro.

Selia e McLaren në Uoking. Gazeta Si, 22 prill 2021

“Global Net Lease”, që e bleu këtë seli, është një fond amerikan investimesh. Transaksioni është parashikuar të kryhet në gjysmën e dytë të 2021-shit. Në akord ka një pakt, sipas të cilit McLaren do ta përdorë për 20 vjet me qera selinë e saj. “Jemi të lumtur të njoftojmë se kjo strukturë do të bëjë pjesë në portofolin e Gnl”, - tha James Nelson, administrator i deleguar i kompanisë amerikane.

“Pse duhet t’i kemi të gjitha paratë tona në sektorin imobiliar? – është shprehur administrator i McLaren, Zak Braun. – Nuk jemi një kompani e këtij tipi. Jemi një skuadër garash”. Të ardhurat nga shitja e selisë do t’i japin frymëmarrje skuderisë së Formula 1, pas situatës së vështirë financiare të 2020-ës. Vitin e kaluar McLaren kishte kërkuar një hua prej 163 milionë eurosh nga Banka kombëtare e Bahrainit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë