Motosport

Kriza e Mercedesit, drejtori Alison: Të çorientuar dhe individualistë!

Gazeta Si – Çfarë fshihet pas krizës së Mercedesit, një nga skuadrat më të rëndësishme të Formula 1? Drejtorit teknik i skuderisë nga Shtutgarti, Xhejms Alison, analizon shkaqet e një 2023-shi pa fitore.

Zero tituj, zero fitore. Mercedesi nuk përjetonte një sezon kaq të varfër prej shumë vitesh. Xhejms Alison, drejtori aktual, po kërkon të gjejë mënyrën për të thyer dominimin e Red Bull-it. Për ta bërë këtë duhet një ndryshim nga shumë pikëpamje. Në podcast-in ‘Performance People’, Alison është shprehur: “Shpresoj të kem bërë një program pune, që të jetë efikas për të fituar jo vetëm garat, por edhe Botërorin”.

Xhejms Alison, drejtori teknik i Mercedesit. Gazeta Si, 11 dhjetor 2023

Nga 2010-a, viti i rikthimit në F.1, e deri më sot Mercedesi ka triumfuar në 8 kampionate kostruktorësh, pa harruar 7 titujt për pilotët. Alison, që ka kontribuuar te sukseset nga 2017-a deri në 2021-shin, pohon se kalimi nga pikë referimi në ndjekës, e ka destabilizuar skuadrën.

"Kur një skuadër bie, pasi ka qenë për shumë vite në një nivel të lartë, është shumë çorientuese. Është e pakëndshme të ndihesh papritur i mundur nga skuadrat e tjera. Ulet besimi dhe ushtrohet edhe shumë presion. Rezultatet mediokre na shtyjnë për të vepruar shpejt në shumë reparte, si aerodinamika, dinamika e makinës, dizajni. Duhet shumë kujdes", - thotë Alison.

Çorientimi dhe individualizmi janë pikat e dobëta, ku Mercedesi duhet të punojë. Alison shpjegon: "Kur humbëm kurorën për herë të parë, u ndamë më shumë se duhet. Jam përpjekur të bëj bashkë gjithçka dhe të bind inxhinierët kryesorë që të dialogojnë më shumë. Mjafton të ribashkosh këta njerëz të rëndësishëm dhe të diskutosh.

Nuk do të duhet shumë kohë që pjesëtarë të ndryshëm të rifitojnë zakonin e të mbështeturit te njëri-tjetri dhe jo të punojnë individualisht. Besoj se ky program do të mjaftojë që të kthehemi të fitojmë”. Ndjekja e Red Bull-it ndoshta ka nisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë