Motosport

Kriza e Ferrarit, Briatore: Duhen gjobitur Leklerk dhe Fetel

Dy makinat Ferrari u përplasen me njëra-tjetrën që në xhiron e parë në pistën e Spielbergut në Austri. Një gabim trashanik i Leklerk që është shoqëruar me kritika të ashpra nga ish-pilotë apo ish-drejtues të skuderisë italiane.

Zhan Alesi, ish-pilot i Ferrarit, duke analizuar përplasjen e Leklerk dhe Fetel, thekson: “Ishte një figurë e shëmtuar, dihet që kur nisesh nga vendet e pasme ka gjithmonë rrezik për t’u prekur me makinat e tjera. Më shumë se presioni mbi pilotët, fakt është se makina është ndërtuar keq dhe paraqitja e dobët peshon shumë, sepse zgjidhjet e teknikëve nuk funksionojnë. Në këtë rast pilotët nuk kanë faj. Ky kampionat nuk do të sjellë rezultat, pasi makinat nuk premtojnë, por Ferrari i ka mundësitë dhe burimet për t’u ringritur.”

Zhan Alesi, ish-pilot i Ferrarit. Gazeta Si, 14 korrik 2020

Një qëndrim më të ashpër ka Flavio Briatore, i cili shprehet se pilotët duhen gjobitur për atë gafë dhe se kjo është e vetmja mënyrë që ata të jenë më të përgjegjshëm. “Gabimin këtë radhë e bëri Leklerk, i cili deshi të depërtonte në një vrimë ku nuk kishte hapësirë. Fetel e di që do të largohet dhe nuk do ta ndihmojë kolegun e tij, por Sebastiani nuk mendonte se dikush do ta sulmonte në atë mënyrë, – shprehet menaxheri i njohur italian.

Flavio Briatore, meaxheri i njohur i Formula 1. Gazeta Si, 14 korrik 2020

“Pas 300 metrash, dy makina që nuk janë më në pistë, është një katastrofë. Duhen respektuar inxhinierët, mekanikët dhe të gjithë pjesëtarët e skuadrës. Në atë pozicion nuk kishte sens që të rrezikohej, duhet pak disiplinë, sepse makinat nuk janë të pilotëve, por të skuadrës. Këta djem duhet të respektojnë punën e gjithë skuadrës dhe unë do t’i kisha gjobitur me 5-10% të pagës. E vetmja mënyrë për t’i bërë më të përgjegjshëm, është t’i prekësh te lekët”, – thotë Briatore.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë