Taksa

Kriza detyron qeverinë ‘të heqë dorë’ nga politika fiskale. Shtyn konsultimin e strategjisë për sistemin tatimor

Qeveria shqiptare ka vendosur të mosndërhyjë në ndryshime apo politika të reja fiskale për sa kohë vendi është në një krizë të shkaktuar nga konflikti Rusi-Ukrainë.  Ministria e Financave ka bërë me dije se janë shtyrë konsultimet për strategjinë afatmesme të të ardhurave 2022-2026 e cila ishte hartuar si draft dhe synon të sjellë disa ndryshime në regjimin tatimor në vend.

Sipas Ministrisë së Financave deri në përfundimin e plotë të krizës do të ketë një pezullim të çdo lloj ndërhyrje të mundshme të parashikuar për këtë vit, pasi ende nuk dihet se cilat do të jenë pasojat reale në ekonomi përgjatë këtij viti. Dokumenti pasqyron reformat në fushën e politikave tatimore, administrimit tatimor dhe doganor që parashikohen të ndërmerren gjatë një periudhe pesë vjeçare.

Strategjia 2022-2026, synon të rrisë të ardhurat buxhetore me 1.1 mld euro, prej të cilave 640 milionë euro pritet të arkëtohen përmes rritjes së tarifat dhe taksave, heqjes së përjashtimeve dhe pragjeve të TVSH-së, akcizës, tatimfitimit, rritja e taksës së pronës dhe pjesa tjetër nga lufta ndaj informalitetit. Parashikohen të rikthehen tatimet fikse dhe ato mbi xhiron në bizneset e vogla dhe të vendoset TVSH mbi banesat e reja.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo strategji pritet t'u vijë në ndihmë operatorëve ekonomikë në lidhje me strategjitë e biznesit, të cilat kërkojnë qëndrueshmëri në politikat fiskale me qëllim programimin e veprimtarisë dhe aktiviteteve në terma afatgjatë.

Qeveria në paketën fiskale për vitin 2022, në konsultim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka nisur politikën e heqjes së përjashtimeve tatimore për kategori të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë