Politike

Kriza, 3 deputetë të Bundestagut në Tiranë, mungon CDU/CSU

Tre deputetët të Bundestagut gjerman pritet të vizitojnë sot Shqipërinë. Delegacioni i parlamentarëve gjermanë përbëhet nga Josip Juratoviç i Socialdemokratëve, Hansjörg Müller i Alternativës për Gjermaninë dhe Renat Alt (FDP) e liberalëve. Juratoviç është kryetar i Komisionit Parlamentar për Europën Juglindore në Bundestag dhe se së bashku me deputetët gjemanë mësohet se nuk do të vizitojnë vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo të paktën bëhet e ditur nga faqja zyrtare e Parlamentit gjerman ku turi ballkanik është e parashikuar më parë dhe ka të bëjë çështjen e integrimit të shteteve të Ballkanit, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë për çeljen e negociatave, pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Europian.

Gjithashtu delagacioni sipas njoftimit zyrtar do të shkëmbejë me përfaqësuesit e shoqërisë civile, fondacionet gjermane dhe rrjetin e të rinjve RYCO mbi situatën politike për shtetet respektive të Ballkanit.
Delegacioni gjermane sipas njoftimit të zyrtar të Bundestagut gjerman do të takohet në Tiranë me kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlarlamentarin Gramoz Ruçin. Mëoshet se do të ketë takime edhe me përfaqësues të komisioneve parlmaentare. Sakaq nuk ka njoftime nëse do të takohen me presidentin Meta, apo dhe me liderët e PD-së dhe të LSI-së. Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar deri më tani vetëm një takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në të martën në ora 15:00.
Takimi i delegacionit gjerman realizohet në momentet më kritike që po përjeton Shqipëria, ku konflikti politik ka arritur nivelin më ekstrem, pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Ndërsa mazhoranca si kundërpërgjigje ka nisur procedurën për shkarkimin e presidentit, duke e akuzuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Delegacionit gjerman i mungojnë deputetët e CDU dhe të CSU, përfaqësuesit e partisë dhe të grupimit politik të kancelares Angela Merkel. Ky grupim politik do të reagonte menjëherë pas vendimit të presidentit Meta për anuluar zgjedhjet, duke kërkuar që partitë politike në Shqipëri të gjejnë një kompromis politik.
Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial në parlamentin gjerman (Bundestag), Johann David Wadephul, reagoi të dielën në një deklaratë për redaksinë e Deutsche Welles ndaj vendimit të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore më 30 qershor.


Johann David Wadephul , CDU/CSU

"Pas këtij vendimi të presidentit, ekziston një situatë e re politike. Të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit. Këtu përfshihen zgjedhje lokale demokratike me disa kandidatë të mundshëm. Kjo presupozon që të gjithë ta pranojnë vendimin e presidentit dhe pastaj të marrin pjesë në garën politike. Çdo gjë tjetër do të ishte jo evropiane dhe do t'i forconte në mënyrë të panevojshme dyshimet mbi dobinë e një procesit të aderimit. Kështu do të krijohej një bazë e re për një bashkëjetesë paqësore mes konkurrentëve politikë. Në Evropë, çdo qeveri duhet të pranojë një opozitë kritike, dhe çdo opozitë duhet të pranojë një qeveri efektive. Kjo është një bazë qenësore për një shtet të qëndrueshëm dhe demokratik. Nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë këtë rrugë drejt Evropës, sigurisht që do të marrë çdo mbështetje nga Gjermania ", do të shprehej deputeti gjerman, i cili është shprehur i gatshëm për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës politike.
Javën e shkuar Gjermaninë e vizituan deputetët e PS-së, Taulant Balla, Ervin Bushati dhe ministrat Sandër Lleshaj dhe Etilda Gjonaj. Gjithashtu pas tyre drejt Berlinit udhëtoi edhe presidenti Meta, i cili u takua edhe me Wadephul. Me numrin dy të grupit të CDU/CSU u takuan dhe ministrat Gjonaj dhe Lleshaj.

Balla dhe Juratoviç


Socialistët në Berlin takuan edhe socialdemokratin Juratoviç. “Qasja jonë ndaj këtyre dy vendeve është një test i kredibilitetit të BE. Për mua, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është zgjerim, por plotësim i hartës së BE. I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri dhe dua ta them shumë qartë se bojkoti i parlamentit është kundër parimeve të demokracisë. Lufta politike duhet të zhvillohet vetëm në Parlament. Për mua respekti ndaj Parlamentit është maksimal. Ata që bëjnë këto veprime dhe protesta të dhunshme nuk e duan Shqipërinë në BE. E kam thënë dhe për raste të ngjashme në vende të tjera të Ballkanit, një parti mund të jetë kundër partisë që është në Qeveri, por nuk mund të jetë kundër interesit të vet kombëtar” tha Juratoviç gjatë takimit me kreun e grupit të PS-së, Taulant Balla


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë