Futboll

Kritikoi sjelljen e tifozëve, Kukësi gjobit trajnerin Shpëtim Duro

Duhej të ishte një atmosferë e ngrohtë dhe festive te Kukësi, ekipi që kryeson Superioren, por nuk është e thënë. Me një vendim të fundit të klubit, trajneri Shpëtim Duro është gjobitur me gjysmën e pagës mujore. Arsyeja? Trajneri kryeqytetas kundërshtoi sjelljen e tifozëve kuksianë pas ndeshjes Kukësi-Skënderbeu, që përfundoi në barazim, 1-1.

“Këta djem janë heronj, sepse të gjithë kanë tifozë, kurse ne ata 5 tifozë që kemi vijnë në stadium dhe shajnë futbollistët e tyre”. Kjo ishte fjalia e trajnerit Shpëtim Duro pas barazimit me Skënderbeun në “Elbasan Arena”, një fjali që nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve të Kukësit dhe në veçanti presidentit Safet Gjici.

Shpëtim Duro, trajner i Kukësit. Gazeta Si, 25 dhjetor 2019

Klubi kuksian ka dalë në krah të tifozëve dhe vendosi të gjobisë trajnerin Duro me një gjysmë page për deklaratën e nxituar. Kukësi kryeson kampionatin pas 17 javësh me 31 pikë dhe është një nga kandidatët kryesorë për titullin kampion. Dhe në momentin më të mirë për këtë ekip, aq më tepër ditën e Krishtlindjeve, trajneri Duro merr një “dhuratë” të pakëndshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë