Njerez

Kriteret, “thembra e Akilit” e tenderave! Rrëfimi i ish-zyrtarit: Si kopsiten për të paracaktuar fituesin

Kosto të fryra, fitues me oferta në kufijtë e fondit limit dhe kritere të çuditshme. Këto janë problematikat kryesore të tenderave që janë vënë re ndër vitet në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Këto gjetje të KLSH duket se po provohen nga aksionet e fundit të SPAK në Bashkinë e Lushnjes e Pogradecit dhe në Ministrinë e Brendshme për tenderin e uniformave të policisë.

Problematika e tenderave është e shumëvjeçare në Shqipëri dhe as task forcat e ngritura ndër vite, e as ndryshimet ligjore nuk e kanë përmirësuar situatën.

“Gjithmonë është gjetur një rrugë për të paracaktuar fituesin”, thotë në kushte anonimati për Gazetasi.al një ish-anëtar komisioni vlerësimi ofertash në një institucion të vetëqeverisjes vendore.

Por, si?

“Loja e vërtetë, të paktën te tenderat e vegjël të bashkive, që nuk tërheqin shumë vëmendjen bëhet me kriteret. Po të hapësh arkivat e tenderave gjen kritere nga më të çuditshmet. Personalisht kam hasur vetë në disa raste të tilla, që kam refuzuar t’i firmos, megjithëse tenderat në fund janë miratuar”, thotë ish-zyrtari.

Për të na orientuar mbi absurdin e kritereve na sjell në kujtesë rastin e bujshëm të një tenderi të Bashkisë së Vlorës pak vite më parë. Kusht për kompaninë fituese? Të kishte njërin prej inxhinierëve të saj të diplomuar në vitin 1971.

Tenderi në fjalë është hapur në shtatorin e vitit 2016 me objekt rehabilitimin e rrugëve Ramize Gjebrea-Gjon Bocari”. Vlera e tenderit ishte rreth 67 milionë lek. Mes kritereve të vendosura përcaktohej që në përbërje të kompanisë të ishin të paktën 5 inxhinierë urbanistik, transporti e ndërtimi civil.

Mes këtij kushti të madh ishte një nënkusht i çuditshëm përjashtues në garë. Nënkushti përcaktonte se inxhinieri i ndërtimeve civile të ishte i diplomuar në vitin 1971. Pasi bërjes publike, ky nënkusht nuk u zbatua gjatë vlerësimit të ofertave dhe tenderin e fitoi një kompani me ofertën rreth 50 mln lek, ose 17 mln lek më pak se fondi limit.

“Ky është nga ato raste kur skema ka dështuar se u bë publike, po të mos ishte denoncuar nënkushti do të zbatohej”, thotë ish-zyrtari për gazetasi.al

Ish-anëtari i komisioneve të vlerësimit të ofertave thotë se për më shumë se gjysmën e tenderave të organizuara nga bashkitë ka dyshime për paracaktime të fituesit. Si ky rast në Vlorë, thotë ai, nëse hapen arkivat e tenderave ka me shumicë.

“Ka raste kur fituesi i një tenderi pastrimi duhet të kishte mjek në staf, raste kur eksperienca e kompanisë përcaktohet me afate kohore fikse, duke vendosur si kriter që kompania duhet të ishte krijuar filan datë të filan viti. Kriter që kompania të kishte zyrën në një adresë të caktuar e të tjera si këto”, thotë ish-zyrtari.

Çështjen e kritereve absurde që nuk kanë lidhje me objektin e tenderit e përmendi edhe Kryeministri Edi Rama në dy takimet që pati me kryebashkiakët dhe ministra dhe drejtuesit e institucioneve që ligji u njeh të drejtën e prokurimeve publike.

Duke cituar një analizë të Agjencisë së Prokurimit Publik Kryeministri Edi Rama tha se në 70 për qind të tenderave gjatë vitit 2020 dhe periudhës së parë të vitit 2021 rezultojnë me probleme sa i takon hartimit të kritereve.

Për të reduktuar këto problematika, Rama njoftoi paketën e re ligjore për prokurimet, që sipas tij adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet.

Paketa e ndryshimeve përfshin afatet për ankimimet dhe reduktimin e tyre, shmangien e konfliktit të interesit duke përjashtuar nga komisionet e vlerësimit të ofertave personat që rezultojnë me lidhje me kompanitë garuese dhe ndëshkimin me mospjesëmarrje në tendera të kompanive që dyshohet se marrin pjesë në gara fiktive duke mos paraqitur oferta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë