Futboll

Kristi Qose largohet nga Sllovakia, transferohet në Çeki

Mesfushori i Kombëtares, Kristi Qose, është transferuar zyrtarisht në kampionatin çek, ku ka nënshkruar kontratën e re me ekipin Karvina. Futbollisti 24-vjeçar, i formuar në Greqi, ka luajtur vitet e fundit në Sllovaki, me Mihallovce fillimisht dhe me Ruzomberokun 2 sezonet e fundit, ku ka spikatur edhe si golashënues.

Qose ka qenë titullar te Ruzomberoku, por gjatë janarit nuk gjeti akordin për rinovimin e kontratës. Tashmë ai ka ndërruar kampionat dhe është bashkuar me Karvinan në Çeki. Kontrata e re e mesfushorit është për 2 vjet e gjysmë. "Është një lojtar interesant. Sapo kuptuam se nuk kishte rënë dakord për kontratë të re me Ruzomberokun, filluam bisedimet dhe tashmë kemi arritur marrëveshjen,” - tha trajneri Juraj Jarabek, pas afrimit të Qoses. Karvina mban vendin e 15-të në kampionat aktualisht.

https://youtu.be/Z3wxAkALHNc
Disa nga momentet më të bukura nga loja dhe golat e Qoses. Gazeta Si, 14 shkurt 2020

“Ambientimi nuk do të jetë problem, sepse Sllovakia dhe Çekia janë të ngjashme. Besoj se gjithçka do të shkojë mirë. Kampionat çek është më i fortë dhe unë doja të provoja diçka të re”, - u shpreh Kristi Qose, mesfushori që është grumbulluar vazhdimisht nga trajneri i Kombëtares, Edi Reja, për ndeshjet e fundit të kuqezinjve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë