Motosport

Krijohet droni që ndjek kampionin Vershtapen, një sfidë me shpejtësi mbi 300 km/h!

Gazeta Si – Nga teknologjia Red Bull ka lindur droni i parë Fpv (team Dutch Drone Gods) në gjendje të mbajë ritmin e RB20.

Vëmendja është e gjitha te gara e Bahrejnit, e para për Botërorin 2024 të Formula 1. Në prag të saj gare, 3 herë kampioni i botës, Maks Vershtapen, ishte protagonist i një dueli të pazakontë ‘kokë më kokë’. Asnjë makinë në anën tjetër, por një dron Fpv.

Mes kthesave të cirkuitit të famshëm të Silverstone, holandezi është filmuar nga një dron i krijuar posaçërisht për pamjet ‘first-person-view’ me shpejtësi shumë të madhe. Bëhet fjalë për dronin e parë që arrin shpejtësinë e një makine të Formula 1, duke kapur pamje të jashtëzakonshme me një klik nga aty poshtë.

Pamje të kapura me shpejtësi mbi 300 km/h: droni është i shpejtë sa makina e Vershtapen. Më i shpejti deri tani, i krijuar nga bashkëpunimi mes Red Bull-it dhe holandezëve të "Drone Gods". Më shumë se një vit punë për të ndërtuar këtë ‘krijesë’.

"Nuk e mendoja kurrë se do të shikoja një dron kaq të shpejtë për fotot, - ka thënë Vershtapen. – Nuk e dija që më ndiqte, teksa garoja në shi. M’u afrua shumë në disa momente dhe u surprizova se si kishte atë shpejtësi edhe në kthesa. Është një perspektivë ndryshe për të parë Formula 1".

‘Dutch Drone Gods’ iu desh më shumë se një vit punë për të krijuar mjetin që fluturon më shpejt se makinat e F.1, duke kapur shpejtësinë 300 km/h në vetëm 4 sekonda. Shpejtësia maksimale arrin në 350 km/h. Prototipi u ndërtua nga piloti Ralf Hogenbirk në laboratorin e Eindhovenit dhe para se të zbriste në pistë janë bër disa simulacione.

Piloti i dronit, Shaggy Fpv, e ka përshkruar cirkuitin me një radiokomandë, ndërsa fokusi është rregulluar nëpërmjet nje pedali. Duhej kujdes shumë i madh për koordinimin dorë-sy, për të pasur një plan të parë fluid të makinës që ecte me mbi 300 km/h.

Dronët tradicionalë ecin me shpejtësi rreth 60 km/h, me bateri që mban deri në 30 minuta. Për këtë dron të shpejtë, që duhet të bëjë shumë manovrime të shpejta, bateria mban deri në 3 minuta.

"Janë shumë gjëra që duhen marrë në konsideratë. Për shembull, duhen evituar urat dhe u duhet paraprirë pjesëve ku frenohet. Ne kemi një pedal frenash, në ajër është ndryshe. Duhet të jetë shumë stresuese të mbash një nivel kaq të lartë përqendrimi”, - komentoi më tej Vershtapen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë