Biznes

Krifca: Ligj i ri për bletarinë. Vitin që vjen bëhet pjesë e IPARD

Nga Gazeta 'SI' - Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka prezantuar ligjin e ri për fermerët, këtë herë dedikuar bletarisë dhe një plani 3-vjeçar monitorimi për to. Ajo shtoi se vitin që vjen bletaria do të bëhet pjesë e mbështetjes që vjen nga programi i IPARD.

Bashkë me ekspertë të punës dhe grupet e interesit, ministrja tha se janë përcaktuar rregulla dhe kushte për regjistrimin, transportin dhe mbrojtjen ndaj përdorimit të produkteve veterinare dhe PMB-ve, mbështetjen, ushqyerjen, etiketimin, kontrollet, masat administrative. Gjithashtu janë përcaktuar edhe detyrimet, që kanë strukturat përgjegjëse shtetërore dhe shoqatat e bletërritësit, teksa orientojmë një shfrytëzim të kontrolluar të kullotave

Krifca theksoi se me këtë nismë synohet t' i jepet fund mungesës së monitorimit të bletës, shtegtimeve të tyre të pakontrolluara dhe trajtimit pa kriter të sëmundjeve të tyre, me pasoja humbje të kolonive të tëra me bletë.

“Aktualisht kemi rreth 12.000 bletërritës në të gjithë vendin, prej të cilëve rreth 3 mijë kanë mbi 50 koshere. Numri i zgjojeve është rritur në 402 mijë koshere, nga 239 mijë koshere që ishin në 2012. Prodhimi i mjaltit “made in Albania” ka ardhur në rritje, nga 3.000 ton në 2012 në 5204 ton në 2022. Gjithashtu po nxisim proceset në nivel rajonal (në kuadër të CEFTA-s), që shumë shpejt të keni mundësi të eksportoni produktet e mjaltit shqiptar në vende të rajonit, me procedurë të thjeshtuar dhe dokumentacion të unifikuar. Kjo do të jetë një dritare e re, që do të plotësojë të gjithë angazhimin tonë për sektorin e bletarisë

Ne synojmë të mbrojmë racën e bletës e popullata tipike autoktone - vendase të bletëve ose zonave kufitare, të garantojmë mbrojtjen e mjedisit dhe të prodhimeve agropyjore”, - u shpreh ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë