Lajme

Kreu i BKH/ Kush mori pikë maksimale nën makinën e së vërtetës. Nesër intervistat

Të mërkurën në orën 10.00 nis intervistimi i tetë kandidatëve që synojnë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sic njofton Prokuroria e Posaçme në faqen zyrtare www.bkh.al, e para që do të këtë një orë kohë të përgjigjet është zëvendës drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Veizaj, një ish-eksperte e hetimit të krimit të organizuar dhe gjithashtu zyrtare e policisë kufitare. Brenda të njëjtës ditë, me një orë distancë nga njëri-tjetri, do të kalojnë pragun e SPAK edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Hetimit të Krimit të Organizuar Ardian Çipa (ora 11.00), oficeri i ndërlidhjes në Itali Artur Beu (ora 12.00) dhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës Ervin Hodaj (ora 13.00). Episodi i dytë i intervistave me katër zyrtarët e tjerë do të vazhdojë sërisht të enjten dhe konkretisht në datën 27 shkurt, ku njëri pas tjetrit me të njëjtin grafik oraresh, do të ulen para komisionit të posaçëm edhe katër zyrtarë të tjerë policie. Komisioni - sikurse Gazeta “Si” ka raportuar ekskluzivisht - përbëhet nga kryeprokurori i SPAK Arben Kraja, dhe dy prokurorët e posaçëm Behar Dibra dhe Eneid Nakuci. Të enjten njoftimi zyrtar përmend se me testimin përballë do të ballafaqohen Gentjan Shehaj, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, Lindita Nushi ish-zyrtare e policisë kufitare, Idajet Faskaj, ish-drejtor i Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Ylli Pjetënikaj, prokuror. I gjithë ky proces do të monitorohet nga Komisioni i Pavarur i Rishikimit që është i përbërë nga ndërkombëtarët.
Poligrafi
Gjatë javës së kaluar nën testin e makinës të së vërtetës u vendosën të tetë kandidatët. SPAK bën me dije se raportet e ekzaminimeve të poligrafit do të merren në konsideratë, por rezultatet e këtyre testeve është rreptësisht e ndaluar të aksesohen. Sidoqoftë, Gazeta “Si” ka mësuar ekskluzivisht emrat e 3 kandidatëve që kanë marrë pikët maksimale dhe të atyre që kanë marrë në këtë test pikë minimale. Siç bëjnë me dije specialistët e poligrafit, mes tyre pikët maksimale i kanë marrë një nga gratë në garë për drejtimin e BKH si edhe njëri nga ish-drejtuesit e Hetimit të Krimit të Organizuar.
Sidoqoftë gara për zgjedhjen e kreut të BKH po monitorohet nga afër edhe nga amerikanët të cilët në përfundim, kur të zgjidhet më i miri, do të asistojnë në trajtimin e tij dhe të agjentëve të BKH në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga 40 kandidatë në garë mbetën tetë konkurrentë. Edhe në një nga njoftimet e Ambasadës Amerikane u deklarua se poligrafit do t’i nënshtroheshin vetëm gjashtë pretendentë, por SPAK njoftoi më vonë se për shkak të nivelit të lartë të garuesve numri i tyre nga gjashtë, lejohej në tetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë