Para

Kreditë e këqija ulen në 4.7%

Nga Gazeta 'SI' - Kreditë me probleme janë ulur gjatë qershorit dhe raportohen në nivelin e 4.7%. Në maj ky tregues ishte 4.8%, ndërsa qershorin e një viti më parë 5.2%.

Përgjatë 2024-s, cilësia e kredisë nuk ka patur ndonjë përmirësim të dukshëm, por tendenca ka qenë rënëse ose me rritje minimale. Rënia e vazhdueshme e kredive të këqija, është tregues i përmirësimit të aftësisë paguese të qytetarëve dhe bizneseve.

BSH ka treguar se mbajtësit e kredisë së keqe janë kryesisht individë që kanë marrë kredi të pambrojtur në euro dhe kredi për pasuri të patundshme. BSH tregon se kreditë me probleme për huatë e pambrojtura nga kursi i këmbimit arriti 4.4% në 2023-shin dhe vetëm për pasuritë e paluajtshme ishte 3.5%. Pra, aftësia paguese e individëve që kanë të ardhurat në lekë dhe kredinë në valutë (euro) është përkeqësuar.

Statistikat tregojnë se janë subjektet financiare jo-banka që kanë një normë të lartë të kredive të këqija, sa 14% e totalit të kredive të tyre. Penalitetet dhe interesat e larta, duket se e bëjnë më të vështirë pagesën e kësteve të një mikrokredie.

Vendimi i Bankës për të ulur normën e interesit në 3% pritet të sjellë një rënie të kredive me probleme, por zakonisht efekti është i vonuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë