Lajme

KPK konfirmon në detyrë Donika Prelën

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari, pasi kanë hetuar dhe shqyrtuar dokumentacionin, kanë vendosur konfirmimin në detyrë të Donika Prelës.
Vendimi do të shpallej më 29 janar, por për shkak të disa denoncimeve në media nga Partia Demokratike, KPK vendosi ta shtynte shpalljen e vendimit për më 5 shkurt. Sipas trupës gjykuese, në përfundim të verifikimeve nuk kishte asnjë indicie për të rihapur hetimet, duke e konfirmuar kështu në detyrë.
Lidhur me shtyrjen e seancës nga data 29 janar më 5 shkurt, në njoftimin e KPK-së thuhet se është bërë për shkaqe të arsyeshme, duke mos dhënë asnjë detaj shtesë.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, për shkaqe të arsyeshme, seanca e shpalljes së vendimit për subjektin e rivlerësimit, Znj. Donika Prela, me detyrë drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, përcaktuar në datë 29.01.2019, ora 10:00, do të shtyhet për në datë 05.02.2019, ora 9:00. Kjo seancë do të mbahet në të njëjtën sallë në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Pas seancës dëgjimore, Donika Prela u vu në shënjestër të Partisë Demokratike.
Selia blu ngriti pikëpyetje mbi dosjen e Prelës ku janë paraqitur të gjitha shkeljet që janë vërejtur në deklarimin e pasurisë. Së fundi, ajo u akuzua edhe se është pjesë e përgjimeve me kreun e bandës së Avdylajve në Shijak.
Gjatë seancës së 22 janarit, përveç blerjes së një apartamenti që u raportua se ishte blerë me çmim më të ulët sesa vlera e tregut, prokurorja Prela dha llogari për bashkëshortin.
Bëhet fjalë për punën e partnerit të saj si inxhinier ndërtimi në një kompani, si dhe gjetjet e KPK-së se ai kishte punuar pa kontratë dhe ishte paguar “cash” gjatë viteve 2003-2005.
Në seancën dëgjimore të Prelës më 22 janar para KPK-së, ai që theu heshtjen ishte vëzhguesi ndërkombëtar i ONM-së, Theo Jacobs. Ky i fundit nuk kurseu paralelizmat kur shpjegoi se si ishte ndier pas leximit të deklaratave të pasurisë së prokurores.
“Jam i sigurt që ju ka rënë rasti të pini ilaçe në mëngjes. Ato të lënë një shije të keqe, aq sa nuk mund të shijosh dot kafen e mëngjesit. Shija largohet vetëm pas drekës”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë