Lajme

Kosto e studentit, më shtrenjtë të bëhesh piktor se sa jurist

Për të rinjtë që shkollohen jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë ku ka universitete publike, kosto që duhet të paguajnë është e afërt dhe në disa raste më e lartë në krahasim me ato të bashkëmoshatarëve të tyre që studiojnë në universitetet private. Qëndresa Qytetare, një organizatë jo qeveritare, ka realizuar një krahasim të tarifave të universiteteve dhe të kostove jo vetëm mes shtetërorit dhe privatit, por edhe me ato të shteteve të BE-së, si Gjermania.

Në të 12 universitetet publike në shkallë republike tarifat për nivelin e parë të studimit janë nga 20 mijë-90 mijë lekë të reja.

Në universitetin e Tiranës, tarifat për nivelin e parë të studimit bachelor variojnë nga 25000-40000 lekë të reja. Universiteti Bujqësor ka nivelin e pagesave që varion nga 27 mijë lekë deri në 90 mijë lekë të reja. Universiteti i Arteve në Tiranë ka vetëm një pagesë fikse edhe ajo është në vlerën e 40 mijë lekëve.

Ndërsa tarifa e studimit për nivelin e dytë, master variojnë nga 120 mijë lekë deri në 170 mijë lekë të reja. Pikërisht nëse ka një nivel tavan për tarifat e nivelit të parë, qeveria i ka lënë dorë të lirë universiteteve për vendosjen e kuotave master shkencor. Ndërsa qeveria e mëparshme “Berisha” me një VKM Nr. 743, datë 5.9.2013, “Për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në institucionet publike të arsimit të lartë për ciklin e dytë të studimeve “Master profesional”, me kohë të pjesshme, për vitin akademik 2013 – 2014, i kishte të përcaktuara çmimet e masterave shkencor.


Në bazë të tabelave të përllogaritura rezulton se universiteti i Arteve në Tiranë dhe Universiteti i Sporteve i ka kuotat më të larta të tarifave për nivelin e dytë të studimit i maksimale kanë vlerën 320 mijë lekëve të reja te i Arteve, ndërsa ai i Sporteve, shkon deri në 270 mijë lekë të reja.
Kështu të mbarosh studimet për pikturë në Shqipëri është kostoja më e lartë se sa të përfundosh për Mjekësi apo për Jurist. Madje më shumë detyrohen të paguajnë studentët që merret ne Sportet, se sa ata që shkollohen në profesione të tjera, për të cilët kanë më të lehtë të gjejnë punë, apo paguhen më shumë në të ardhmen.

Tarifat e universiteteve për nivelin e parë të studimit dhe në master

Por për studentët kostoja e shkollimit rritet po të marrim në konsideratë edhe faktin se atyre iu duhet të blejnë librat nga profesorët për lëndët e ndryshme, ku shuma e një libri mund të variojë nga 500-2000 lekë. Pedagogët ofrojnë me detyrim blerjen e librave për lëndët që japin, duke ia rritur koston e shkollimit.

Gjithashtu studentët shprehen se problemet që hasin në lidhje me kostot e zvarritjet që hasin për tërhequr vërtetim për marrjen e lëndëve të notave. Ndërsa pagesa 670 lekë kushton vetëm një kredit për provimet e mbartura. Sipas Fakulteteve të ndryshme studentëve iu duhet të paguajnë katër apo pesë kredite për një provim. Kostoja mesatare llogaritet në 1,400 lekë për çdo kredit.

Tarifat e universiteteve private

Në bazë të një hulumtimi që ka kryer Lëvizja për Universitetin si kosto mesatare në vit për libra shkon në vlerën 16,100 lekë në vit dhe 10,300 lekë në vit për materiale mësimore. Vetëm shkollimi llogaritet në 417,000 lekë. “Natyrisht që kjo vlerë është shumë më pranë kufirit minimal se mesatar, duke pasur parasysh që në degë të ndryshme tarifat dhe kostoja e librave janë edhe më të larta apo për të mos përmendur faktin që studentë të ndryshëm duhet të ndjekin kurse private të gjuhës së huaj në mënyrë që të mbrojnë gjuhën e huaj në institucione private fitimprurëse”, thuhet në studimin e Lëvizjes për Universitetin.

Kostoja e jetesës

Përveç kostos për shkollimin, studentët duhet të përballojnë atë më kryesoren, jetesën. Në gjithë Shqipërinë janë 100 mijë studentë. Strehimi është problemi kryesor i tyre, pasi në Qytetin e Studentit ofrohen vetëm 4700 studentë. Pjesa tjetër detyrohet që marrë shtëpi me qira, pasi kjo kondicionohet jo vetëm nga mungesa e kapaciteteve që ofron shteti, por mbi të gjitha dhe nga kushtet jo të mira që kanë ambientet e përbashkëta të banimit. Shtëpitë me qira kushtojnë deri në 20 mijë lekë në muaj dhe studentët janë të detyruar që ta ndajnë mes dy apo tre shokëve. Këtu nuk llogariten as kostot e shpenzime që duhet të paguajnë për faturat e furnizimit me energji apo me ujë.

Ndërsa transporti është një kosto më vete. Në Tiranë janë hedhur abone studenti, por që nuk mbulojnë të gjithë studentët. Në total ka 2 mijë abone për 100 mijë studentë.
Mesatarisht sipas një studimi llogaritet që një studenti për 1 muaj i duhet të shpenzojë 39.700 lekë dhe për pesë vite studimi i duhet të paguajë rreth 2 milionë lekë për shkollimin.
Kjo shifër është për ata studentë që nuk jetojnë me familjen gjatë studimeve të larta universitare. Për një vit akademik nevojiten rreth 400,000 lekë për një student apo studente që nuk jeton me familjen në Tiranë.

Krahasimi me vendet e BE-së

Studentëve të universiteteve publike u mungojnë disa shërbime kryesore si internet free, laboratorë shkencore, biblioteka online, sistem informativ, këshill i karrierës. Gjithashtu kjo kategori e studentëve vuan nga mungesa e kredive studentore apo mungesa e kartës së studentit. Të gjitha këto shërbime që janë ofruar në shtetet me standarde në BE. Qëndresa Qytetare ka realizuar dhe një krahasim në lidhje me koston e familjeve për studentët të Gjermanisë dhe të Shqipërisë.

Në Gjermani paga mesatare është tetë herë më lartë se në Shqipëri dhe ofron një tarifë studimi në zero lekë për studentët në universitetet publike, ndërsa në Shqipëria varion nga 200 deri në 2 mijë euro.

Në Gjermani bursa e studimit është 700 euro në muaj, ndërsa në vendin tonë 10 herë më pak, 70 euro në muaj. Transporti publik është falas dhe karta e studentit është funksionale në shtetin ku po shkojnë përditë e më shumë emigrantë shqiptarë, ndërsa në Shqipëri ka abone vetëm për 2 mijë studentë dhe karta e studentit nuk ekziston. Sa i përket akomodimit në qendra pritjeje (konvikte), në Shqipëri duhet të paguash 400 euro në vit e për këtë shteti e mundëson vetëm për 4700 studentë, ndërsa Gjermani pagesa është vetëm 400 euro në vit. Të gjitha këto krahasime detyrojnë studentin që të punojë për të përballuar shpenzimet për shkollim dhe për jetesën e tyre. Kjo gjë ndikon në rezultatet e shkollimit të tyre çka në shumë raste detyrohen dhe të shtyjnë provimet në kohë. Nëse në Tiranë mund të kesh mundësi të gjesh ndonjë punë, por në qytetet e tjera universitare gjetja e një punë është tejet e vështirë.

 

Më Shumë