Futboll

Kostakurta s’ka dyshime: Ronaldo më i forti, të ulte me by*** në tokë

"Shpejtësia është e jashtëzakonshme sot, në krahasim me të kaluarën. I vetmi lojtar i viteve të kaluara që mund të luante sot është Ronaldo Fenomeni. Asnjë tjetër. Të tjerët kanë qenë të ngadaltë në raport me kohët e sotme", - ka deklaruar së fundi Marko Materaci, ish-mbrojtësi i Interit dhe Italisë.

Një tjetër ish-mbrojtës italian, kampion Europe me Milanin, Alesandro Kostakurta, është plotësisht dakord me Materacin. "Ronaldo brazilian ishte shumë i fortë, të fëlliqte në fushë. Ishte pak karagjoz, sepse donte të tallej me mbrojtësit, duke i ulur në tokë”, - kujton ish-mbrojtësi italian.

Kostakurta në dyluftim me Ronaldon. Gazeta Si, 27 mars 2020

"Të gjithë mbrojtësit e gjeneratës sime, si Maldini, Nesta, Kanavaro dhe Ferrara do të thoshin se lojtari më i fortë dhe më i vështirë për t’u markuar është Ronaldo brazilian, - shton Kostakurta gjatë një lidhje direkt me “Sky Sport”, duke iu përgjigjur pyetjes së një tifozi. – Para çdo ndeshjeje flija i qetë, përveç rasteve kur duhej të përballesha me të. Ai argëtohej, bënte numra që askush tjetër nuk mund t’i bënte. Edhe unë kam përfunduar me by*** në tokë kushedi sa herë…"

https://youtu.be/yy7a0ea1W1Q
Disa momente nga driblimet e Ronaldos. Gazeta Si, 27 mars 2020

Jo vetëm Kostakurta, por të gjithë mbrojtësit e kohës së Ronaldo Fenomenit e kanë pranuar se ai ka qenë një makth për ta. E njohur është shprehja e Paolo Maldinit, i cili para ndeshjes me Interin, ku brazilianit luante atëherë, i drejtohej shokut të skuadrës, Marsel Desai: “Marsel, të lutem, mos më lër vetëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë