Lajme

Kosovë, zyrtarja e policisë vret 4 anëtarë të familjes dhe pastaj veten

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë zyrtarja e policisë së Kosovës në Gjilan, Valdete Bllaca, ka vrarë dy prindërit e saj, dy vëllezërit dhe më pas është vetëvrarë.

Siç shkruajnë mediat kosovare, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se sot rreth orës 13:00, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona, anëtarë të familjes së saj dhe në fund ka kryer vetëvrasje.

 “Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen “Bujanina”, në Gjilan, e ndjera V. B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në njoftim.

Në vendin e ngjarjes  ka shkuar policia, prokurori i rastit dhe ekipi mjekësor, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre.

Ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për autopsi, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.  

Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat, të cilat mund të kenë çuar deri te vrasja e katër anëtarëve të familjes, e më pas vetëvrasja e 45-vjeçares Valdete Bllaca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë