Biznes

Kosovë, biznesi nuk garanton mbajtjen e punonjësve, ndihma e qeverisë e pamjaftueshme

Ka nisur dje ekzekutimi i 60 milionë eurove të ndara nga Qeveria e Kosovës për përkrahjen e bizneseve.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka bërë me dije se ka ekzekutuar pagesën e parë prej 37.7 milionë eurove për 15.745 biznese, të cilat i kanë plotësuar kushtet në këtë fazë sipas programit për rimëkëmbje ekonomike. Sipas njoftimit, pjesa tjetër e vendimit do të zbatohet në ditët në vijim, ku do të përfitojnë të gjitha bizneset, të cilat kanë aplikuar sipas kritereve të përcaktuara.

Por biznesi thotë se shuma në dispozicion është e pamjaftueshme.

Sipas Odës së Afarizmit në Kosovë, bizneset nuk mund të garantojnë se do të mbajnë në punë të gjithë punëtorët edhe pas ndarjes së 60-mln eurove nga Qeveria e Kosovës.

Bizneset, të cilat kanë pasur humbje si pasojë e pandemisë me COVID-19, do të ndihmohen nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, në bazë të listës së numrit të punëtorëve të regjistruar që kanë kompanitë. Për këto biznese, nga ky Fond, i cili kap vlerën e mbi 350 milionë eurove, pritet të ndahen 60 milionë euro.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në një deklaratë dërguar mediave më 9 tetor, ka deklaruar se transferet e planifikuara prej 60 milionë euro duhet të sigurojnë që do të mbrojnë vendet e punës në kompanitë që do të mbesin aktive pas përfundimit të pandemisë.

Sipas FMN-së, transfertat në kompanitë private duhet të jenë të targetuara, transparente dhe lista e përfituesve duhet të bëhet publike, në përputhje me legjislacionin.

Por Skender Krasniqi, drejtor i Odës së Afarizmit në Kosovë, thotë se shuma prej 60 milionë euro e cila do të ndahet përafërsisht për rreth 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë, është e vogël, nuk ndihmon një biznes që të zhvillojë afarizëm për të mbajtur të gjithë punëtorët në punë.

“Është vlera e vogël, mund të jetë maksimalisht përkrahje për një muaj dhe nuk garanton mbajtjen e punëtorëve në punë deri në fund të vitit. Tani, bizneset vetëm kanë filluar të largojnë nga puna punëtorët dhe disa biznese kanë filluar edhe të falimentojnë si pasojë e pengesave dhe mospërkrahjes nga shteti në këtë drejtim”, shprehet ai.

Të dhënat për periudhën mars –gusht të këtij viti nga Administrata Tatimore e Kosovës tregojnë se, mbi një miliard euro ka pasur më pak qarkullim sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë