Biznes

Kosovë, biznesi më fitimprurës tregtia

Pavarësisht klimës së vështirë të biznesit në Kosovë, të vlerësuar nga ekspertët referuar sfidave të shumta dhe barrës fiskale që nuk mundësojnë fitim të konsiderueshëm, tregtia është biznesi që lulëzon në këtë vend.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në varësi të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, këtë vit janë regjistruar më shumë se 4.049 biznese, më së shumti në tregti.

Prej totalit të bizneseve të regjistruara, të dhënat tregojnë se 3.988 biznese janë të regjistruara si ndërmarrje të vogla, në kategorinë nga 1 deri në 9 punëtorë, ndërmarrje të mesme 44 biznese deri 49 punëtorë dhe vetëm 3 ndërmarrje që konsiderohen të mëdha me më shumë se 50 punëtorë.

Sipas ekspertëve për çështjet ekonomike, gjendja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë është shumë e rëndë.

Megjithatë, thonë ata, sektori privat është duke ruajtur qëndrueshmërinë dhe stabilitetin ekonomiko- social në Kosovë. Ata sugjerojnë se shtylla e zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së shtetit duhet të jetë zhvillimi ekonomik bazuar në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mbi të gjitha në edukim dhe në sundim të rendit dhe ligjit.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë të regjistruara më shumë se 183 mijë biznese, nga të cilët vetëm 2.800 ndërmarrje janë të mesme dhe të mëdha që numërojnë nga 10 deri në më shumë se 50 punëtorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë