Futboll

Kosovare Asllani kandidate për “Topin e Artë”, absurditet me Modriç

Janë shpallur tashmë listat e kandidatëve për çmimin më prestigjioz në nivel individual, “Topi i Artë”, që jepet nga francezja “France Football”. Në listën me 20 emra të futbollisteve kandidate për këtë çmim bie në sy Kosovare Asllani. Ajo është me origjinë kosovare dhe luan për kombëtaren e Suedisë, ndërsa në verë sulmuesja 30-vjeçare ka nënshkruar për Real Madridin, klubin e madh spanjoll. Sigurisht, gara për “Topin e Artë” është shumë e vështirë për të, sepse të favorizuara janë futbollistet e Amerikës, që në verë fituan Botërorin në Francë.

Disa prej futbollistëve që spikatën në këtë kompeticion janë kandidatet kryesore për të fituar këtë çmim. Tobin Heath, Rose Lavelle, Alex Morgan dhe Megan Rapinoe janë futbollistet më të kuotuara, më pas lista vazhdon me francezet Sarah Bouhaddi, Amandine Henry dhe Wendie Renard. Për “Topin e Artë” të vitit 2018 u nominuan 15 futbolliste, 10 nga të cilat janë sërish në listë, me në krye Ada Hegerberg.

Kosovare Asllani. Gazeta Si, 22 tetor 2019

Befasia për çmimin prestigjioz qëndron te lista e futbollistëve, ku mungon kroati Luka Modriç, fituesi në fuqi. Për herë të parë në historinë e “Topit të Artë” ndodh që fituesi i çmimit mungon në listën prej 30 lojtarësh në edicionin pasardhës. Diçka absurde. Vërtet Modriç nuk është në nivelin e sezonit të kaluar, por në 30-she meritonte të ishte. Lënia e mesfushorit të Realit jashtë listës shton edhe më shumë polemikat për vlerësimin e tij më këtë çmim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë