Futboll

Kosovare Asllani jep një mesazh nga ‘Fadil Vokrri’: Vajza, luani futboll me pasion!

Gazeta Si - Kosovare Asllani, futbollistja e njohur që luan për Suedinë dhe Milanin, ka bërë një vizitë në Kosovë me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë. Ajo ka shkuar në vendin e saj të origjinës si Ambasadore e Shpresës së Mirë të UNICEF-it.

Asllani, e cila shoqërohej nga babai i saj, është pritur nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ajo ka marrë pjesë në aktivitete, madje ka zbritur edhe në fushën e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ me uniformën e Kosovës.

Kosovare Asllani duke luajtur ne 'Fadil Vokrri'. Gazeta Si, 17 shkurt 2023

Po ashtu, ish-futbollistja e Real Madridit, e shoqëruarnga zv.ministrja e Sportit, Daulina Osmani, dhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Vesterlund, vendosi buqeta me lule te shtatorja e Fadil Vokrrit.

Pasi luajti për disa minuta me vajzat e reja kosovare, Asllani dha një mesazh për to: “Ju ftoj të luani gjithmonë me kënaqësi dhe pasion futboll, është një sport që të ofron ndjenjë të jashtëzakonshme. Mos u dorëzoni asnjëherë, edhe kur nuk shkon siç e mendoni ju. Punoni pa rreshtur që të keni sukses”, - tha lojtarja ne Milanit.

“Edhe unë, kur kam nisur të luaj futboll, jam paragjykuar. Ka pasur edhe familjarë që më thoshin se futbolli nuk është për vajza, por për djem. Mësuesit në shkollë më thonin të merresha me ndonjë sport tjetër, mirëpo nuk jam dorëzuar asnjëherë. Me përkrahjen e prindërve kam arritur t’i thyej barrierat dhe të bëj karrierë. Nse keni dëshirë e pasion për futbollin, patjetër duhet ta ndiqni ëndrrën tuaj”, - shtoi ajo.

Kosovare Asllani është pritur në takime edhe nga drejtuesit e institucioneve shtetërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë