Kosova do të presë sot Rumaninë për ndeshjen hapëse të saj për Ligën e Kombeve. Në pamje të pare një ndeshje futbolli, asgjë për tu veçuar në aspektin politik, por në rajonin e Europës Lindore dhe në pak vende të tjera në Botë, emri i Kosovës ende nuk është i konsoliduar, madje politika e këtyre shteteve, përfshirë Rumaninë, nuk e njeh ende si shtet i pavarur. Këto dy skuadra si për ironi të fatit ishin edhe në eliminatoret e Europianit të edicionit të shkuar dhe gjërat nuk kaluan lehtë.
Ndeshja e 12 shtatorit të vitit të kaluar në Bukuresht la shije të hidhur te lojtarët e Kosovës. Humbja nga Rumania ua shoi lojtarëve të Kosovës ëndrrën për t’u kualifikuar në Evropianin që u zhvillua rreth 2 muaj më pare në Gjermani.
Humbja nga Rumania nuk ishte goditja e vetme që lojtarët e Kosovës morën në Bukuresht. U goditën rëndë edhe në tribuna nga tifozët rumunë.
Muriqi dhe të tjerët u ballafaquan edhe me pankarta anti-Kosovë dhe thirrje “Kosova është Serbi” nga huliganët e grupit “Uniti sub tricolor”. Pankartat dhe thirrjet anti-Kosovë bënë që ndeshja e luajtur vitin e kaluar në Bukuresht të ndërpritej për 50 minuta. Kosova e humbi ndeshjen 2:0.
Por, për Muriqin, nuk është koha për t’i revanshuar rumunët në tribuna. Ai thotë se “hakmarrja” duhet të merret në fushë. “Besoj se ndeshja do të jetë e rëndësishme për të dyja ekipet. Rumania dhe Kosova janë favorite për ta zënë vendin e parë. Nëse e nisim mbarë me fitore, do të bëjmë hap të madh dhe të rëndësishëm për të përfunduar si lider”, tha sulmuesi i Mallorcas, i cili beson se Kosova ka forcë dhe skuadër për ta mposhtur Rumaninë.
Megjithatë gjërat janë ndryshe këtë here, Kosova e pret Rumaninë në kryeqytetin e saj Prishtinë, si shtet i pavarur, në një stadium të madh si “Fadil Vokrri”, ndryshe nga si i pritën ata në Bukuresht, në një atmosferë feste dhe vetëm sportive, larg politikës. Ndeshja e cila nis nga ora 20:45 i takon Grupit 2 të Ligës C, të Ligës së Kombeve të UEFA-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.