Ne rrjet

Kosova nis negociatat që të marrë e para në rajon vaksinën e Covid-19

Kosova po punon që të marrë e para në rajon vaksinën e koronavirusit të ri në fillim të vitit. Ajo ka nisur negociatat me partnerët ndërkombëtarë që veprojnë në fushën e shëndetësisë si, Agjencinë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të siguruar vaksinën kundër koronavirusit.

Aktualisht, në botë janë duke u zhvilluar mbi 100 vaksina potenciale kundër koronavirusit. Njëzetenjë vaksina janë në fazën e provave klinike dhe të gjitha vendet po përpiqen t’i sigurojnë, duke u lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetë kompanitë.

Vendet më të vogla dhe të varfra në përgjithësi përpiqen të sigurojnë vaksinën përmes skemave të përbashkëta ndërkombëtare, siç është COVAX, e udhëhequr nga OBSH-ja, Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike dhe AGV(Aleanca Globale për Vaksinat).

Deri më tani, 90 vende të varfra i janë bashkuar këtij projekti, dhe 75 shtete të pasura kanë shprehur qëllimin e tyre për ta financuar. Sipas OBSH-së, këto shtete përbëjnë së bashku 60 për qind të popullatës botërore.

Kjo iniciativë synon të dërgojë në vendet pjesëmarrëse 2 miliardë doza të vaksinës kunder koronavirusit, deri në fund të vitit 2021. Edhe ose ende nuk ka një vaksinë të aftë për të mbrojtur miliarda njerëz, të gjithë presin që ajo të dalë në fund të këtij viti.

Zëdhënësi i Ministrinë së Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Faik Hoti thotë se është duke punuar që Kosova të marrë vaksinën që në fillim të vitit.

“Numri i dozës së vaksinës do të tentohet të jetë sa më i madh në mënyrë që në rast të një vaksinimi eventual të mbulohet secila kategori e popullatës që bie në grupet e rrezikut”, thotë Hoti.

Sipas tij, në grupet e rrezikuara hyjnë: të sëmurët kronikë, personat e moshuara, gratë shtatzëna dhe kategoritë tjera që janë më të ekspozuara ndaj virusit, përfshirë këtu edhe personelin shëndetësor.

“Planet e vaksinimit zakonisht diskutohen me partnerët siç është OBSH dhe UNICEF dhe praktikat nga vitet mëhershme, sidomos nga viti 2009, na kanë mësuar që Kosova edhe në atë kohë vaksinën kundër virusit A-H1N1, i njohur si gripi i derrave, i pati siguruar përmes këtyre rrugëve, pra përmes partnerëve që janë organizata të njohura që veprojnë në nivel ndërkombëtar në fushën e shëndetësisë”, thotë Hoti.

Deri më tani, shton Hoti, partneriteti me organizatat ndërkombëtare si UNICEF dhe OBSH ka qenë strategjik.

Ai kujton se vitin 2009, kur është zhvilluar vaksina kundër gripit të derrit, Kosova ka qenë shteti i parë në rajon që ka siguruar vaksinat falë partneritetit ndërkombëtar me OBSH-në.

“Shpresojmë që edhe në të ardhmen mundësitë të jenë të tilla dhe Kosova të përfitojë nga asistenca ndërkombëtare, pasi që kërkesat priten që të jenë jashtëzakonisht të mëdha në tregun ndërkombëtar dhe natyrisht që shtetet që kanë popullatë më më të madhe dhe ekonomi më të zhvilluar do të jenë të parat që do të marrin vaksinë”, thotë ai.

Kosova merr 30 ventilatorë nga BE

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia nuk kanë treguar interes për skemat ndërkombëtare, siç është COVAX. Ashtu si Bashkimi Europian dhe India, ato po përpiqen të zhvillojnë në mënyrë të pavarur një vaksinë ose të lidhin marrëveshje me kompanitë farmaceutike, në mënyrë që të sigurojnë furnizimet e nevojshme për nevojat e tyre, të cilat, sipas ekspertëve, lënë pas dore ato globale.

Shtetet e Bashkuara kanë porositur 100 milionë doza të vaksinës potenciale kundër koronavirusit.Vaksinat mund të dërgohen në fund të këtij viti nëse testimi është i suksesshëm dhe nëse kompanive u jepet miratimi për prodhim emergjent. Popullsia amerikane do ta marrë vaksinën falas.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me gjigantin farmaceutik francez, Sanofi për 300 milionë doza të vaksinës potenciale.

Komisioni Europian, që ka negociuar këtë marrëveshje, ka thënë se do t’iu lejojë 27 vendeve anëtare që të blejnë vaksinën kur të vërtetohet se është e sigurt dhe efektive.

Ky njoftim ka ardhur në të njëjtën ditë që qeveria amerikane ka thënë se do t’iu ofrojë 2.1 miliardë dollarë kompanive Sanofi dhe GSK, për zhvillim të vaksinës.

Nga vendet e rajonit, me 31 korrik Kroacia ka konfirmuar zyrtarisht gatishmërinë e saj për të lidhur një marrëveshje me Komisionin Europian për blerjen e një vaksine kundër Covid-19.

Kroacia gjithashtu disa ditë më parë nënshkroi një marrëveshje për blerjen e një milion e gjysmë doza vaksine me një kompani farmaceutike, kur ajo të dalë në treg.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq me 15 korrik njoftoi se po zhvillohen bisedime me një vend i cili, siç tha ai, ka përfunduar vaksinën kundër Covid-19. Ai ka shtuar seshpreson se Serbia mund ta marrë vaksinën para fundit të vitit.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë