Mendim

Kosova mund të hyjë në vitin 2020 pa buxhet, VV-LDK pa marrëveshje

Edhe pse kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet e parakohshme, në Kosovë formimi i qeverisë duket ende larg. Negociatat midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike janë zhvilluar prapa perdeve, por mediat në kanë arritur të zbulojnë se lufta mes dy partive po zhvillohet për postin e presidentit që sjell përmbysjen e skemës së ndarjes së posteve ministrore.

Kreu i LDK-së, Isa Musftafa kërkon me çdo kusht që të ulet në këtë karrige si dhe ndarjen e ministrive në mënyrë të barabartë, kështu që deri më tani, Albin Kurti ka treguar se nuk do t’i pranojë. Por ndërkohë që të dyja palët janë të zëna duke negociuar, ekspertët ngrenë shqetësim se shtyrja e formimit të qeverisë mund të bëjë që Kosova të hyjë në vitin 2020 pa buxhetin e miratuar.

Qeveria në detyrë e kryeministrit Ramush Haradinaj, ka miratuar vetëm kornizat buxhetore, por ajo nuk mund të miratojë projektligjin, pasi Kuvendi është i shpërndarë. Deri më tani është e miratuar vetëm korniza afatmesme e shpenzimeve 2020 – 2030.

Korniza afatmesme e shpenzimeve paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro, një milion euro më shumë sesa buxheti i këtij viti.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mosmiratimi i buxhetit deri në shkurt të vitit të ardhshëm nuk paraqet problem. Sipas tij, problemet fillojnë pas muajit këtij muaji.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti. Gazeta Si, 2019

“Për muajt janar - shkurt nuk do të ketë asnjë problem. Nëse konstituohet Kuvendi, atëherë muaji mars mund të mbulohet me një vendim edhe me shpenzime buxhetore, por sfidat dhe problemet do të paraqiteshin në muajin prill, pasi deri atëherë nuk do mund të bënin dot asnjë pagesë të brendshme”, thotë Rafuna.

Po të mos ishte vit zgjedhor, Qeveria e Kosovës do të duhej të miratonte deri më 31 tetor buxhetin e propozuar dhe ta dërgonte për miratim në Kuvend. Ndërsa afati i fundit kur kuvendi miraton buxhetin e Kosovës është 31 dhjetori.

Nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, atëherë në bazë të procedurave ligjore, Kuvendi mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal, i cili mund të qendrojë në fuqi për vetëm tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare thotë për mediat në Prishtinë, se vonesat në miratimin e buxhetit nuk janë të shëndetshme për ekonominë e një shteti.

“Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2020 paraqet një problematikë në vete, në kushte normale, në veçanti në kushtet kur kemi ndërrimin e koalicionit qeveritar, do të thotë qeverisjen do ta marrin dy parti të reja politike të cilat padyshim kanë programin e vet qeverisës, program që nuk është bërë ende transparent në publik dhe kjo ndikon që mosmiratimi i buxhetit për vitin 2020 është me pasojë për ekonominë dhe zhvillimin normal të institucioneve shtetërore që prekin edhe operatorët ekonomik, qofshin publik apo privat”, thotë Keqa.

Por kur mund të formohet qeveria e re?

Fitim Salihu, Gazeta Si, 2019

Duke qenë se ka marrë numrin më të madh të votave, Albin Kurti është ulur tanimë këmbëkryq në karrigen e kryeministrin, me Vjosa Osmanin krah tij si zëvendëskryeministre dhe me shumë mundësi Ministre e Jashtme. Por për kreun e LDK-së, Isa Mustafa, qeveria e re nuk mund të zyrtarizohet pa zgjidhur se kush do të pasojë Hashim Thaçin në 2021-in, apo edhe me herët nëse Thaçi dorëhiqet ose shkarkohet siç ka premtuar Kurti. Mustafa e ka bërë të qartë së dëshiron të ulet në këtë karrige.
Analisti nga Kosova, Fitim Salihu i thotë Gazetës "Si" se deri në vitin 2021 asgjë nuk mund të parashikohet me siguri, por sugjeron se kreu i LDK-së do të jetë më shumë mundësi kandidati i koalicionit qeveritar për president.

“Duke marrë parasysh faktin se Kurti do të jetë kryeministër, me shumë gjasa Isa Mustafa do të jetë kandidat i koalicionit VV-LDK për president në vitin 2021. Por, në një vit e gjysmë ka shumë procese përpara dhe shumë ujë mund të rrjedhë”, thotë ai për Gazetën "Si".
Ekspertët thonë se Lidhja Demokratike e Kosovës preferon që të gjitha çështjet, nisur nga ndarja e ministrive e deri te posti i presidentit të përfshihen në marrëveshjen e ardhshme ndërmjet Kurti dhe Mustafës. Këmbëngulja e LDK-së për presidentin e ardhshëm që do të vijë në krye të shtetit në vitin 2021 vjen për të shmangur një skenar që mund të cojë në rrëzimin e qeverisë: nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon në zgjedhje në parakoshme. Mustafa e ka bërë të qartë se LDK-ja nuk preferon një marrëveshje koalicioni që do të zgjaste një vit e gjysmë.

Vetëvendosja deri më tani nuk arritur t’i rezistojë presionit, edhe pse sipas ekpertëve duket se mungon dëshira për të debatuar për presidentin në këtë faze. Kurti është përqendruar deri më tani tek ndarja e ministrive dhe detyrave. Por edhe pse premtoi se Kosova do të kishte një qeveri të re në nëntor, gjërat duket e nuk po shkojnë sipas planit.
Salihu i thotë Gazetës “Si” se deri më tani në Prishtinë ka pak informacion se çfarë po ndodh mbrapa dyerve të mbyllura ku po mbahen negociatat VV-LDK. Por çfarë po i ngadalëson këto bisedime?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë