Futboll

Kosova mban gjallë shpresat për kualifikim, dështon përpjekja malazeze për trazira

Kosova nuk diskutoi për asnjë moment tri pikët në ndeshjen vendimtare ndaj Malit të Zi duke mbajtur vetë në dorë fatin e kualifikimit.

Rrahmani zhbllokoi rezultatin që në minutën e 10-të të takimit në stadiumin "Fadil Vokrri" të tejmbushur në Prishtinë.

Goli çoi peshë "Dardanët", por nuk u prit mirë nga tifozeria mike e paktë në numër. Grupi i vogël i tifozëve malazezë i izoluar nën masa të forta sigurie në një nga pjesët pas portave të stadiumit u përpoq të prishte festën e tifozëve të Kosovës, duke provokuar me kore raciste në serbisht dhe duke hedhur sende të forta në fushë.

Është dashur ndërhyrja e forcave speciale të policisë së Kosovës që tifozët miq të qetësoheshin, ndërkohë që tifozeria vendase nuk ra pré e provokimit për asnjë moment.

I zakonshmi Vedat Muriqi shënoi golin e sigurisë në minutën e 35-të, thuajse në të njëjtën kohë që Keidi Bare shënonte po golin e dytë për Shqipërinë në Moldavi.

Pjesa e parë u mbyll 2-0 dhe në të dytën direktivat e trajnerit Bernard Shalande duket se ishin më shumë kujdes në mbrojtje për të mos i lënë hapësira pas kundërshtarit, por pa harruar sulmin.

Kosova pati tre raste të tjera për gol, por traversa dhe fati ndalën përpjekjet e vendasve për golin e tretë.

Me këtë fitore Kosova mbetet në vendin e tretë në kuotën e 11 pikëve, një më pak se Çekia, me të cilën do të përballet në transfertë më 14 nëntor në ndeshjen vendimtare për kualifikimin.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Anglia u shfaq me tjetër fytyrë në transfertë ndaj Bullgarise në krahasim me ndeshjen e luajtur tri ditë më parë ndaj Çekisë në Pragë, ku humbën 2-1. "Tre luanët" përforcuan pozitat në krye të grupit me 15 pikë pas fitores 0-6 ndaj bullgarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë