Futboll

Kosova madhështore, fitore fantastike ndaj Çekisë

Të paktën për disa orë, Kosova mund të shijojë vendin e parë në grup, pas fitores fantastike me Çekinë. Edhe pse pa dy nga lojtarët e saj më të mirë, Zenelin dhe Rashicën, skuadra kosovare ia doli të fitojë 2-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një atmosferë të zjarrtë të krijuar nga tifozët. Ishte një fitore me përmbysje dhe plotësisht e merituar për Kosovën. E gjithë skuadra luajti një ndeshje të madhe, por Vedat Muriqi dhe Mërgim Vojvoda janë dy “heronjtë”, dy autorët e golave për Dardanët.

Kosova u godit nga goli i Shik në minutën e 16-të, por reagoi mjaft mirë dhe arriti t’i barazonte shifrat vetëm pas 4 minutash me Vedat Muriqin, i cili mori një pasim të saktë në zonë nga Rashani. Djemtë e trajnerit Shaland patën disa momente shumë të mira loje në pjesën e parë, por pa i konkretizuar me gol, ndërsa çekët nuk arritën të shfrytëzonin një gabim të Halimit, teksa ishin 4 vetë përballë 2 mbrojtësve të Kosovës, por Shik u tregua egoist dhe ia dha topin në dorë portierit Muriç.

Para ndeshjes Kosovë-Çeki, 2-1. Gazeta Si, 7 shtator 2019

Në pjesën e dytë, trajneri Shaland bëri dy ndërrime shpejt, duke hedhur në fushë Valon Berishën dhe Muslijan për Rashanin dhe Zhegrovën. Një skemë solli golin e dytë për Kosovën. Berisha krosoi ulët në zonë nga goditja e këndit dhe Vojvoda gjuajti saktë në zonë, duke mposhtur portierin çek. Një gol që e shokoi kundërshtarin, ndërsa Kosova u mbrojt mjaft mirë dhe në fund iu gëzua fitores së dytë radhazi, pas asaj me Bullgarinë në transfertë.

Kosova bën pjesë në Grupin A dhe pas 4 ndeshjesh mban vendin e parë përkohësisht, me 8 pikë. Dardanët kanë 2 fitore dhe 2 humbje në grup. Një paraqitje mbresëlënëse në eliminatoret e Euro 2020 për këtë skuadër, që po ia kalon Shqipërisë në futboll.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë