Ne rrjet

Kosova i jep Presidentit Trump Medaljen e Urdhrit të Lirisë

Kosova ka vendosur të "shpërblejë" presidentin amerikan Donald Trump për përpjekjet për vendosjen e paqes me Serbinë, ndërkohë që kreu i Shtëpisë së Bardhë duket se po e mbyll mandatin me Ballkanin në krye të agjendës së tij të politikës së jashtme.

Pas nominimit për Nobelin e Paqes, Kosova do t’i japë Presidentit amerikan Donald Trump medaljen më të lartë për rolin e tij në marrëveshjen që synon normalizimin e lidhjeve ekonomike me Serbinë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një letër të parë nga agjencia e lajmeve Reuters, e informon Presidentin Trump se do të marrë Medaljen e Urdhrit të Lirisë.

Dy ndihmës të Presidentit Trump, këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O'Brien dhe Richard Grenell, i dërguari i Presidentit për bisedimet Kosovë-Serbi, do të marrin Medaljen Presidenciale të Meritave.

Si pjesë e një marrëveshjeje të arritur në fillim të këtij muaji, Kosova dhe Serbia ranë dakord të punojnë për lidhjet ekonomike, ndërkohë që normalizimi politik është lënë për një kohë të mëvonshme.

Në letrën e tij drejtuar udhëheqësit amerikan, zoti Thaçi shpreh mirënjohjen e thellë “për kontributin personal” të Presidentit Trump në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe e fton atë të vizitojë Kosovën.

Sipas një sondazhi, sot shqiptarët e Kosovës i japin Trump pikë shumë të lartë mbështetjeje, 75 për qind, më shumë sesa çdo vend tjetër në botë. Si vendi më pro-amerikan në botë, Kosova është qendra e veprimit të SHBA-së në rajon.

Kur president Donald Trump erdhi në pushtet, nuk ishin të paktë analistët që ishin të bindur se Kosova , po edhe i gjithë Ballkani, do të zhytej në harresë. Por ndërkohë që po mbyll mandatin e tij presidencial Trump  ka vërtetuar të kundërtën duke treguar se SHBA nuk do të largohet kurrë nga Ballkani, pavarësisht se kush ulet në Zyrën Ovale.

Nuk është sekret që Trump kërkonte arritjen e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës përpara mbylljes së mandatit. Por tabloja e politikës tij drejt Ballkanit Perëndimor, si dhe  ajo e politikës SHBA-së drejt rajonit është shumë më gjithëpërfshirëse. SHBA-ja ka tanimë jo një, por dy të dërguar special për rajonin.

Opinionistët amerikanë kanë thënë kohët e fundit se Administrata Trump ka bërë tanimë ndarjen diplomatike mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor, duke i kushtuar përparësi këtij të fundit.

Damon Wilson, kryetar i Këshillit të Atlantikut, një grup studimor global thotë se rajoni i ka ofruar gjithnjë presidentëve amerikanë fitore të lehta, krahasuar me rajone të tjera si Lindja e Mesme.

“Kur flasim për Ballkanin Perëndimor kemi të bëjmë me shtete demokratike që duan të jenë pjesë e Perëndimit strategjik, që kanë një vizion të përbashkët për të ardhmen e rajonit si një pjesë e zhvilluar e Europës, “tha ai. “Kjo i jep SHBA-së mundësi për të fitore të rëndësishme diplomatike dhe edhe pse mund të duket e vështirë, në të vërtetë duket relativisht e lehtë kur e krahason me Iranin, Korenë e Veriut, apo Venezuelën.”

Wilson shtoi se dialogu Kosovë-Serbi i jep Shteteve të Bashkuara një shans për të treguar se ka qenë gjithnjë e pranishme në rajon dhe se ne nuk mund të lejojë që dikush tjetër të luajë rolin kryesor në Ballkanin Perëndimor.

James Hooper, një ish-diplomat amerikan dhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Veprimit në Ballkan me qendër në Uashington, tha se një përparim në lidhje me këtë çështje do t’i lejojë Trumpit të rriste ndikimin e SHBA-së në mbarë Europën

“Kjo është një mundësi e madhe sepse Grenell është një person serioz dhe ai ka shumë ndikim në Shtëpinë e Bardhë,” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë