Analize

Kosova drejt një stuhie politike, protesta dhe përpjekje për qeverinë pa Kurtin

Mocioni i mosbesimit çoi drejt shkarkimit kryeministrin Albin Kurti pas vetëm 100 ditëve në detyrë, por vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës për dekretimin e Avdulla Hotit në krye të qeverisë së re, i ka shkaktuar atij humbjen e betejës më të madhe politike. Por, edhe pse presidenti Hashim Thaçi mund të ketë fituar, lufta nuk ka mbaruar ende. Nëse ka diçka që Kurti ka treguar gjatë karrierës së gjatë politike, është se nuk do të dorëzohet pa luftuar. Dhe të gjithë e dinë se në betejat politike, është më e lehtë të luftosh kur je në opozitë. Por Kurti do të luftojë si kryeministër në detyrë dhe VV si parti në pushtet këtë herë.

Disa orë përpara se Gjykata Kushtetuese në Kosovë të mbështeste dekretin e presidentit Thaçi, për te mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës si kryeministër, Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar një “shfaqe fuqie”, duke mbajtur prova për protesta në kohë pandemie. Ky ishte në fakt sinjali i parë se Kurti nuk do të merrte “bekimin” e gjykatës.

Ndërkohë që ishte ende në pritje të vendimit, Kurti paralajmëroi të gjithë armiqtë e tij politikë të bëheshin gati për protesta. Kurti ka thënë se vetë qytetarët do të organizojnë protesta nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të jetë në favor të partisë që ai drejton. Vetëm ditën e djeshme VV arriti të mblidhte 5 mijë qytetarë, të cilët u panë duke brohoritur 2 metra larg njëri tjetrit.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë asnjëherë më shumë të zëmëruar”, ka thënë Kurti, duke akuzuar presidentin Thaçi për shkelje të Kushtetutës përmes caktimit të mandatarit për formimin e një qeverie të re pa shkuar në zgjedhje të reja.

Presidenti Thaci dhe Albin Kurti, Gazeta Si, 2020

Nëse kreu i VV-së ecën përpara me planet e tij për protesta, mandati i Hotit, pasi të marrë miratimin nga Kuvendi, ka të ngjarë të jetë më i trazuar se ai i Kurtit. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar nënkryetarin e LDK-së si një politikan të dobët dhe jo të denjë për të udhëhequr qeverinë e rë të Kosovës. Sipas tij kjo ëshstë edhe arsyreja përse Thaçi ka kërkuar dekretimin e tij.

"Presidenti aktual dëshiron një kryeministër të dobët, sesa është Hoti i dobët e kanë treguar qytetarët e Republikës. Ai nuk e ka as çerekun e votave më 6 tetor të vitit të kaluar krahasuar me 8 qershorin 2017, dhe nuk është as në 10 më të votuarit në zgjedhjet e 2019”, ka thënë Kurti.

SHBA kërkon qeveri të re

Vetëm një orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i ka dërguar një mesazh të qartë Kurtit për t’u tërhequr dhe t’i lirojë karrigen Hotit.

https://www.youtube.com/watch?v=IKhbm2QAvaE

Ai ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të pranojnë vendimin e Gjykatës, duke u shprehur se  mezi pret që të punojë me Qeverinë e Kosovës.


“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të garantuar paqen dhe stabilitetin, dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës”, u shpreh Grenell.

 Ai është përfshirë në jetën politikë në Kosovë më shume se cdo zyrtar tjetër amerikan, duke u akuzuar madje edhe për rrëzimin e qeverisë Kurti. Gazeta amerikane Nju Jork Times shkruante një muaj më parë se rrëzimi i Kurtit mund të ketë ardhur jo vetëm për mos heqjen e taksës ndaj Serbisë, por edhe sepse  u përpoq të merrte drejtimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Grenell takon Presidentin Thaci, Gazeta Si, 2020

Edhe vetë Kurti nuk i ka kursyer akuzat, duke thënë se mocioni i mosbesimit ishte vepër e atyre që u takuan me të dërguarin Special të presidentit Trump, Richard Grenell.

“Unë po ua them hapur bindjen time nga ky bashkëpunim i deritanishëm, vendimarrjen për Kosovën e kanë ata që shkuan e takuan Grenell. Edhe unë e takoj Grenell, por nuk do të thotë të shtrihesh tek Grenell. Ata që e kanë takuar Grenell kanë marrë një fuqi që është reflektuar edhe në qeverinë time. Këtë problem që kam pasur në këto 50 ditë e kam edhe sot”, u shpreh kreu i Vetëvendosjes pas shkarkimit.

Sipas tij, arsyeja e shkarkimit është marrëveshja e ardhshme, për të cilën, siç u shpreh Kurti, nuk do të nënshkruhej për sa kohë që të ishte ai kryeministër. Por me Kurtin jashtë qeverisë dhe me një kabinet të udhëhequr nga aleati i saj më i besuar në Kosovë, LDK-ja dhe me Thaçin në anën e saj,  SHBA duket se ka përgatitur terrenin për arritjen brenda këtij viti të një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Në në reagim pas vendimit të Gjykatës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar një mesazh Kurtiti, duke i bërë thirrje të pranojë dekretimin e Hotit dhe të mundësojë një tranzicion të qetë.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Ndërkohë që qeveria “Kurti” luftonte me Thacin dhe pandeminë, edhe LDK-ja duket se përgatiti terrenin për të ardhur pa Kurtin në pushtet. Pas mocionit të mosbesimit ndaj Albin Kurti, partnerja e koalicionit nisi bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë. LDK-ja madje ka përpiluar programin qeverisës dhe e ka bërë publik para Grupit të saj Parlamentar, edhe para se Gjykata të shpallte vendimin.

Avdullah Hoti dhe Isa Mustafa

Ai që ka të ngjarë të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Avdullah Hoti, u ka dërguar një mesazh parterëve të rinj të koalicionit duke bërë thirrje për bashkim.

“Është koha të bëhemi një për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë. Askush nuk ka humbur. Rimëkëmbja e mirëbesimit në mes nesh dhe respektimi i rendit institucional është detyrë dhe obligim yni i përbashkët”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërkohë, ai që është cilësuar si “kryeministri në hije” prapa Hotit, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e bëri të qartë ditën e djeshme se Lidhja Demokratike është tanimë gati të udhëheqë qeverinë pa Kurtin në krah.

“Vendimi i kësaj është një zgjidhje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK-ja që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Por me Kurtin në opozitë, qeveria e re e udhëhequr nga LDK-ja do ta ketë edhe më të vështirë se VV të qendrojë gjatë në pushtet. Në fund të fundit nëse mund të themi diçka me siguri për zotin Kurti, është se ai mund të rrëzohet si kryeministër, por nuk është e lehtë ta “mposhtësh” kur është në opozitë.  Për Kosovën rrëzimi i tij dhe do të thotë vetëm një gjë: stuhi të reja politike.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë