Politike

LDK: Qeveria e re për 3 ditë. Kurti thërret protestë në 5 qershor

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese pro dekretimit të Avdullah Hotit si kandidat për formimin e qeverisë së re, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur sot që synon formimin e qeverisë në tre ditët e ardhshme.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se pas vendimit të Gjykatës nuk ka më asnjë pengesë për thirrjen e seancës për votimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.

“Ka konsultime lidhur me thirrjen e seancës së kuvendit. Tani do të shohim edhe me kryetarin e Grupit tonë Parlamentar dhe me kandidatin për kryeministër Avdullah Hoti se kur do të thirret mbledhja e kuvendit, por edhe me partnerët tanë, AAK-në, Nismën e të tjerët”, deklaroi Mustafa.

Avdullah Hoti

Kreu i LDK-së, tha se ekziston mundësia që qeveria të votohet edhe të shtunën.

“Në qoftë se është gjithçka në rregull sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë unë mendoj që nuk ka asnjë arsye që seanca të mbahet nesër ( shtunë)”, tha Mustafa.

Duke komentuar kundërshtimin e Vetëvendosjes sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Mustafa tha se edhe partia e Albin Kurtit duhet të respektojë vendimin pasi sipas tij, gjithçka është bërë në frymë kushtetuese.

Formimin sa më shpejtë të qeverisë e ka kërkuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Duke folur në një konferencë për media, presidenti Thaçi tha se kishte qenë i kujdesshëm për respektimin e Kushtetutës, kur vendosi për mandatimin e Avdullah Hotit, si kandidat për formimin e qeverisë së re.

“Duhet që sa më parë të themelohet qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë qeveri funksionale, efektive dhe efikase. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha institucioneve, partive politike, të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pra, të zbatojnë dhe respektojnë. I ftoj liderët institucionalë dhe partiakë që të punojmë së bashku që të kemi një tranzicion të rregullt", u shpreh ai.

Por kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka cilësuar sot vendimin si të padrejtë dhe të papranueshëm. Lëzivja Vetëvendosje ka njoftuar mbajten e një proteste të madhe me qershor, duke sinjalizuar kështu se skena politike në Kosovë do të bëhet edhe më e trazuar.

Sipas Kurtit Kushtetuesja është rreshtuar me kapësit e shtetit.

“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e zhvlerësoi veten”, dekalroi Kurti. “Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë