Njerez

Kosova dhe dy udhëtimet e paharrueshëm të Helena Kadaresë

Në vitet ’80, do ta shihte Kosovën si një ëndërr të paprekshme, ashtu si të gjithë shqiptarët, edhe pse ishte shkrimtare dhe njëherazi bashkëshortja e një prej penave më të mëdha të letërsisë shqipe. Udhëtimin e parë drejt Prishtinës, Helena Kadare e mban mend si një prej dy më të paharrueshmëve. Kështu do të shprehej vitin e shkuar  në një intervistë dhënë për gazetaren Mira Kazhani, kur kjo e fundit e pyeste se cilët ishin udhëtimet me më shumë mbresa në jetën e shkrimtares. Të dytin do të rendiste vizitën në Izrael.Të dielën e 7 tetorit, Helena Kadare ishte sërish në Prishtinë, në një takim  për letërsinë dhe lexuesit – e mes shumë të tjerësh që do të ketë bërë pas atij udhëtimi të viteve ’80, kur e ka parë Kosovën si pjesë e ish-Jugosllavisë, por edhe të lirë e të pavarur, ky i fundit  mund të bëhet sërish një prej atyre rrugëtimeve që vulosen nga mbresa,  që harresa zor se i fshin.

Pas takimit me lexues dhe dashamirës të letërsisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka dekoruar shkrimtaren me Medaljen e Meritave. “Shkrimtaren e njohur, Helena Kadare, për kontributin e dhënë në pasurimin e letërsisë shqipe e dekorova me Medaljen Presidenciale të Meritave”, shkruan Thaçi në faqen e tij të Facebook, ndërsa ka nënvizuar se në kujtimet dhe publicistikën e shkrimtares dashuria ndaj Kosovës  ka pasur gjithnjë  vend të veçantë. “Fryma oksidentale e familjes Kadare është një vlerë e veçantë e kulturës sonë.”, ka shkruar presidenti i Kosovës.

Shkrimtarja është takuar edhe me  kryeministrin  Ramush Haradinaj, i cili i dhuroi Hartën e Kosovës, si një vlerësim të kontributit që Helena dhe Ismail Kadare kanë dhënë për Kosovën. “Shqiptarët janë me fat që kanë Helena dhe Ismail Kadarenë! Bashkëshortët Kadare ishin zëri ynë kudo në botë. Ata u ndihmuan popujve tjerë që t’i njihnin shqiptarët dhe të drejtën e tyre. Shquhen për ndjenjën e jashtëzakonshme për Kosovën dhe këtë e manifestuan kurdoherë me dashuri të madhe.”, shkruan Haradinaj në Facebook, duke çmuar krijimtarinë letrare të Helena Kadaresë.

Shkritmarja Helena Kadare me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi

Në një takim me studentë e pedagogë të Fakultetit të Filozofisë në Universitetin e Prishtinës – në  vazhdën e aktivitetit “Letërsia dhe qyteti”, organizuar nga gazetaret Alda Bardhyli dhe Beti Njuma – shkrimtarja  foli  rreth letërsisë, punës si gazetare, redaktore, përkthyese dhe sfidat e të qenit bashkëshorte e një  prej  shkrimtarëve  më të mëdhenj të letërsisë shqipe.“Kur më caktuan në grupin e shkrimtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve për një vizitë në Kosovë, desh më ndali zemra nga lumturia. Delegacionin e kryesonte kryetari i Lidhjes, Dritero Agolli. Në  të bënin pjesë shkrimtarja Eglandina Mandia, Zija Cela, Shefqet Musaraj dhe unë. Në Prishtinë sapo ishte inauguruar Hotel Grand-i dhe gjithçka dukej e përsosur në sytë tanë...”, kështu do ta kujtonte në intervistë një vit më parë udhëtimin e saj të parë drejt Kosovës, kujtime që i ka ndarë edhe me  publikun në Prishtinë, ashtu edhe vështirësitë e të qenit shkrimtare dhe grua në të njëjtën kohë, nënë e dy vajzave dhe bashkëshorte e Ismail Kadaresë.

“Ismaili ishte liruar nga obligimet familjare me qëllim që të lihej i qetë në punën e tij. E kam pasur shumë të vështirë  pas viteve të ’80-ta në  Shqipëri, kushtet e jetesës ishin të vështira, sidomos me fëmijë të vegjël”, ka thënë ndër të tjera Kadare, duke shtuar se obligimet familjare jo pak kanë ndikuar në krijimtarinë letrare.”, do të thoshte Helena Kadare për prishtinasit, gjatë vizitës së saj të fundit atje.E me gjithë vështirësitë e një shkrimtareje grua në një terren letrar – jo vetëm asokohe, por edhe tani -  të sunduar nga burrat – Helena Kadare , e botoi romanin e saj të parë “Një lindje e vështirë” , në mes të viteve ’70 .  Megjithëse pak e tërhequr, ajo nuk hoqi dorë nga letërsia, ndërsa iu propozua sërish lexuesit në fillim të viteve ’90, me botimin e romanit “Një grua ngaTirana” , dhe në fillim të viteve 2000 me librin “Bashkëshortët”. Disa vjet më parë ajo soli edhe librin autobiografik ku rrëfen jetën me shkrimtarin Ismail Kadare, titulluar “Kohë e pamjaftueshme”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerën Helena Kadare me "Hartën e Kosovës". 

Kosova do ta priste me po të njëjtën dashuri që mbante mend thuajse katër dekada më parë. Aty ku siç e përshkruante ajo, gjithçka ngjante si festë”. Një mbrëmje  në Pejë, në hotelin “Metohia”, në restorantin e tij me oxhak, me pogaçet e porsa pjekura nga furra, që u bënin përshtypje delegacionit të shkrimtarëve nga  Tirana, të cilëve  nuk u kishin parë sytë restorante private,veç tre apo katër syresh shtetërore “sterile” siç i quan ajo, me t’u kthyer në Tiranë, shkroi tregimin “Medaljoni nga Peja”.“Ishte, ndoshta, më i pëlqyeri dhe i mirëprituri nga publiku.”, do të shprehej shkrimtarja në intervistën me gazetaren Kazhani. Tregimi bënte fjalë për një mbajtëse metalike çelësash, që ia  kishin dhuruar në Pejë.

...Tani çdo herë që kthehem në shtëpi, me vajzën time të vogël për dore dhe nxjerr çelësin për të hapur derën ajo më pyet : Ç’është ajo gjë që ke në dorë? Një medaljon nga Peja, i them.–Çfarë është Peja ? më  pyet ajo. Një qytet në Kosovë. Po Kosova ç’është ? Atëherë unë nis dhe i tregoj asaj se ç’është Kosova... Kështu e përfundonte shkrimtarja tregimin e saj, për vendin që në ato vitet ’80 shihej si një tabu, për të cilin flitej nën zë, si të ishe zënë në faj, kujton shkrimtarja, teksa përshkruan udhëtimin më të paharrueshëm të jetës së saj. Me të shoqin, shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadare, ka bërë shumë udhëtime nëpër botë – një nga këta është edhe rikthimi  pikërisht në atë hotelin “Metohia” , tashmë të shndërruar në hotel “Dukagjini”, si  39 vjet të shkuar –por i pari në Kosovë do të mbetet më i paharrueshmi.  Më 2018 –ën, thuajse dyzet vjet më vonë, Kosova ia shprehu me dekorata, dashurinë e saj për këtë vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë