Kosova

Kosovë-Serbi, pas 20 vitesh marrëveshje për gjetjen e të zhdukurve

Kosova ka arritur një draft marrëveshje për të ngritur një komision të përbashkët me Serbinë që synon gjetjen e personave që rezultojnë ende të zhdukur, më shumë se 20 vite pas luftës.

Lajmi u bë i ditur nga Ibrahim Makolli, përfaqësuesi për personat e zhdukur në ekipin negociator të Prishtinës në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja Kosovë-Serbi. Duke folur nga Brukseli të hënën, ai tha se është siguruar një marrëveshje fillestare për personat e zhdukur që do të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve.

“Pa kapitullin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nuk mundet dhe nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, deklaroi ai.

Makolli tha në një takim të komisionit të qeverisë së Kosovës për personat e zhdukur se Prishtina dhe Beogradi kanë rënë dakort për tre pika kryesore për të siguruar që njerëzit e zhdukur si rezultat i luftës të gjenden.

Ai tha se pikat janë “krijimi i një komisioni të përbashkët, një mekanizëmi që do të jetë përgjegjës për gjetjen e personave të zhdukur dhe qasjen e pakufizuar në arkivat e njëri-tjetrit që mundësojnë identifikimin e personave të zhdukur.”

“Parashikojmë që i gjithë procesi të përfundojë brenda 18 muajve nëse arrihet marrëveshja finale”, shtoi Makolli. Komisioni i përbashkët do të mbikëqyret nga BE-ja, tha ai.

Mbi 1,600 shqiptarë por edhe disa serbë, janë ende të listuar si të zhdukur nga lufta në Kosovës. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha muajin e kaluar se Serbia dhe Kosova kishin rënë dakord gjatë bisedimeve në Bruksel mbi mënyrat për të bashkëpunuar për çështjet e personave të zhdukur. Serbia dhe Kosova gjithashtu nënshkruan marrëveshje të veçanta me SHBA-në muajin e kaluar që i angazhonte ato, mes të tjerave, “për të shpejtuar përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar eshtrat e personave të zhdukur”.

Në korrik të këtij viti, Kosova dhe Serbia i kërkuan njëra-tjetrës të hapnin arkiva të klasifikuar për të ndihmuar në zbulimin e vendndodhjeve të varreve masive të kohës së luftës.

Megjithatë, Serbia i ka klasifikuar disa nga arkivat e saj ushtarake si sekrete shtetërore duke e bërë të pamundur hapjen e tyre.

Por, pse duhet pritur një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse në Bruksel, në mënyrë që të shkohet drejt zbardhjes së fatit të personave ende të pagjetur, në rast se palët kanë informacione ?

Bekim Blakaj eskpert i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se kjo është një çështje e madhe politike për Serbinë, pasi po të ishte kjo çështje humanitare, informacionet do të ishin dhënë vite më parë.

Ai shtoi se deri më tash nuk ka pasur vullnet politik nga pala serbe për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Sipas tij, Serbia ka dhënë informacione për varreza masive dhe i ka gjetur ato vetëm ku i janë dashur kredite politike. Siç thotë ai, institucionet serbe e kanë ditur për ekzistencën e varrezës masive në Rudnicë, por u është dashur të paktën 13 vjet që të japin informacione për vendndodhjen e saj. Blakaj ka shprehur mendimin që ky është një lloj indikatori që mund të ketë informacione edhe për varreza tjera të mundshme në Serbi, por edhe informacione nga pala kosovare për varreza të tilla eventuale në Kosovë. Ato informacione, sipas tij, nuk jepen dhe janë të mbyllura në arkiva të ndryshme.

Ai vlerëson që rastet e pazbardhura të personave të pagjetur, janë më të vështirat për t’u trajtuar dhe kërkohet më shumë informacion nga pala serbe.

“Në këtë rast, po aludoj se ka informacione në arkivat e ish-ushtrisë jugosllave dhe arkivat e ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme. Na duhet një përkrahje më e madhe nga bashkësia ndërkombëtare, sepse përvoja ka treguar se vetëm me një përkrahje të bashkësisë ndërkombëtare, do të mund të kemi më shumë rezultate në këtë proces”, theksoi Gara.

Më 14 tetor, kryetari i Komisionit për të Pagjeturit në Qeverinë e Serbisë, Velko Odallovic, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme faktin që çështja e të zhdukurve është përfshirë në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington. Ai ka theksuar që pala serbe do të vazhdojë të bëjë kërkime në arkivat e saj, por i ka kërkuar edhe Prishtinës të ofrojë përgjigje për arkivat e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sipas tij, tani mund të jenë në pronësi të ndonjë institucioni në Kosovë.

Nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe nga shoqatat e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, vlerësojnë se marrëveshja e arritur në Uashington, por edhe dakordimi i dy palëve në Bruksel për trajtimin e çështjes së të pagjeturve, ka ndikuar aktualisht në rezultatin e punës në terren. Gjatë muajve të fundit është shtuar dinamika e kërkimit. Gjatë muajve të fundit, sipas tyre, janë trajtuar pesë vendndodhje, të cilat kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore të të paktën katër personave. Në territorin e Serbisë, siç kanë theksuar ata, janë zbuluar dy vendndodhje të dyshuara për varreza masive, në Kozarevë dhe në Sjenicë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë