Drejtësia

Korrupsion në zgjedhje, SPAK dërgon për gjykim dosjen ndaj Gazmend Canajt

Gazeta Si- SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen ndaj Gazment Canajt, ish-zyrtarit të Kadastrës, i cili akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Nga hetimet e SPAK, ka rezultuar se Canaj ka ofruar para disa qytetarëve që të votonin për subjektin politik që ai mbështeste, në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Bazuar në përgjimet telefonike dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për këtë shkelje të Canajt, ai u ka dhënë ushqime shtetasve G. K. dhe E. G. dhe u ka ofruar përfitime të paligjshme shtetasve S. K., R. C. dhe F. R., kundrejt votës së tyre dhe të afërmve të tyre.

SPAK njofton se nga hetimet (përgjimet telefonike dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale), provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se, i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar në mënyrë të drejtpërdrejtë personave të ndryshëm përfitime ekonomike që ata të votojnë në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik që Gazmendi mbështeste në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në qarkun e Tiranës, të datës 25 prill 2021.

Canaj rezulton se ka shpërndarë ushqime dhe ka ofruar përfitime të paligjshme në kërkim të votave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë