Biznes

Covid-19 mbylli mbi 85 mijë biznese. Nasto: Ushqime me listë njerëzve në nevojë

Sabina Veizaj - Albert Nasto është kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

Ai vetë zotëron dy biznese; një veshëmbathje dhe një market.

Dyqanin e veshmbathjeve ai e ka mbyllyr që ditën e parë që qeveria urdhëroi karantinën si masë mbrojtëse që Covid 19 të mos përhapej më tej.

Z. Nasto paguan qira për aktivitetin e veshmbathjeve 50 mijë lekë në muaj, dy shitëse për dy turne gjatë ditës nga 26 mijë lekë, taksa lokale e detyrime të tjera 70 mijë lekë në muaj, plus kredi që ka marrë për investim dhe likuiditet.

Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm

Por, thotë ai për gazetën “Si” “Ky i imi është bizines i vogël me pak punëtorë dhe me një qira mesatare. 45% e biznesve janë kafene me të paktën katër punonjës dhe  me një qira 250 euro deri në tre mijë euro. Llogarit ujin, dritat, taksat e tatimet, kreditë. E imagjinon çfarë humbje është për biznesin karantina?”

Z. Nasto shpjegon për gazetën “Si” se Shoqata e Biznesit të vogël e mbështet plotësisht qeverinë në masat që ka marrë për mbrojtejn e shëndetit të popullatës, por “duhet të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme sipas ligjit, që pasi të mbarojë situata, bizneset dhe njerëzit të mos vdesin urie dhe nga varfëria”.

Duke u shprehur në këtë mënyrë ai është i pakënaqur nga paketa e mbështetjes ekonomike që ka shpallur qeveria.

Sipas kreut të Shoqatës së Bizneist të Vogël dhe të Mesëm, paketa e qeverisë është e vonuar, aspak e detajuar dhe transparente, është në ndihmë të një grushti kompanish që qeveria ka ndihmuar përherë dhe është fare e pamjaftueshme.

“Aktualisht janë të mbyllur mbi 85 mijë biznese, funksionojnë vetëm 5000 të tillë. Nëse do të llogarisim vetëm pagat e punonjësve të këtyre bizneseve që kanë ndaluar aktivitetin; 340 mijë punonjës duke i llogaritur vetëm me pagë minimale 250 dollarë bëjnë 85 mijë dollarë.

Shuma që ka akorduar qeveria 6,5 mld lekë për biznesin e vogël dhe familjet në nevojë, që nuk e ka qartësuar dhe detajuar nuk është asfare e mjaftueshme. Një biznes i mbyllur sot ka mesatarisht 2-3 mln lekë të vjetra detyrime në muaj. Restorantet, frigoriferët i kanë ende në prizë, pavarësisht se janë mbyllur. Si do ti paguajnë detyrimet?”- pyet z. Nasto.

Sipas tij nga 11 kërkesa që Shoqata i ka dërguar qeverisë, është plotësuar vetëm 1, ajo e shtyrjes së deklarimeve.

Z. Nasto thotë se nëse qeveria do të kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme sipas ligjit, do të detyrohej të kompensonte 100% bizneset, madje edhe fitimet e tyre, “por kjo tregon që qeveria do të groposë të gjithë biznesin dhe të mbajë gjallë ato kompani që mbështet gjithmonë. Pasi të përfundojë kjo situatë, Shqipëria do të kaplohet nga një varfëri e madhe”.

Ai thotë për gazetën “Si” se edhe pse biznesi është në këtë gjendje sot, do të vazhdojë të ndihmojë njerëzit siç ka bërë në çdo situatë, edhe atë të tërmetit të fundvitit të kaluar.

“Edhe ne aktualisht jemi qytetarë që për pak mund të kemi nevojë të shtrijmë dorën për ndihmë, por megjithatë ne kemi vendosur në rregullat tona të emergjencës tu ofrojmë  ndihmë me veresie/ lista për ushqime njerëzve në nevojë”- thotë Nasto.

Ai tregon për gazetën “Si” se Shoqata nuk do të ndalet dhe do të këmbëngulë për kërkesat e saj në këtë gjendje të emergjencës kombëtare që biznesi të marrë ndihmë reale dhe transparente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë