Ngjarje

Koronavirusi, Shehu: Meta të mbledhë Këshillin e Sigurisë

Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu kërkon që presidenti Ilir Meta të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi situatën dhe masat që duhet të merret pas shpalljes së emergjencës globale nga OBSH për Koronavirusin. Sipas tij. Këshilli Kombëtar i Sigurisë Kombëtare duhet mbledhur në një format të zgjeruar dhe të përshtatshëm. “Shqipëria të implementojë urgjentisht një skenar adekuat për Virusin “kinez”! Deklarimi mbrëmë i “Emergjencës Globale” nga OBSH dhe identifikimi i dy rasteve të prekura në Rome, imponojnë implementimin e një skenari të qartë, aktiv, real menjëherë në vendin tone jo thjesht me disa masa kontrolli në kufi e deklarime propagandistike, por në të gjithë territorin, edhe që të jetë në gjendje të përballojë një epidemi, të minimizojë e më tej të luftojë komplikacionet e saj në qendër e periferi”, deklaron Shehu.

Ai kërkon që të bashkëpunohet edhe me Italinë me këtë çështje, pas konstatimit në këtë shtet edhe dy raste të mundshme të prekur nga Koronavirusi, si dhe të veprohet në një bashkërendim me OBSH-në. Ai kërkon mobilizim të gjerë të mjekëve dhe të resurseve, sepse dhe masat duhet të jenë komplekse, në të gjitha nivelet e hapësirën e sistemit tonë shëndetësor, duke parashikuar skenarët më të këqij.

“Uroj që virusi mos të arrijë të “hyje” tek ne, por tashti që rreziku është real, duke qenë koshient i gjendjes tejet të rëndë të sistemit tonë shëndetësor në drejtim të financimit, numrit të mjekëve e specialistëve, mungesës së thellë teknologjike, numrit të shtretërve, boshllëqeve thelbësore që ekzistojnë veçanërisht në periferi, kërkohet menjëherë një mobilizim total dhe të atyre pak mundësive që disponojmë, transparent, gjithë përfshirës, profesional dhe larg shfaqjeve teatrale e propagandistike”, thekson Shehu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë